Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, ka nisur një hetim mbi përhapjen e imazheve seksuale të krijuara nga modeli i inteligjencës artificiale Grok, i zhvilluar nga kompania e Elon Musk, xAI.
Bonta tha se materialet “që shfaqin gra dhe fëmijë në situata lakuriqe dhe seksuale” janë përdorur për të ngacmuar njerëz online, duke e cilësuar situatën “tronditëse”. Ai bëri thirrje që xAI të ndërmarrë masa të menjëhershme.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e quajti vendimin e xAI për “të krijuar një ambient të favorshëm për predatorë” si “të neveritshëm”.
Musk, në reagimin e tij, deklaroi se Grok nuk prodhon imazhe të personave të mitur pa kërkesë të përdoruesit dhe akuzoi kritikët për motivime politike.
Hetimi i Kalifornisë vjen ndërsa Britania po përgatit ligje për ndalimin e imazheve intime të krijuara pa pëlqim, dhe Ofcom ka nisur gjithashtu një hetim mbi Grok.
Tre senatorë demokratë amerikanë kanë kërkuar largimin e X dhe Grok nga dyqanet e aplikacioneve, ndërsa platforma ka kufizuar mjetin e gjenerimit të imazheve vetëm për abonentët që paguajnë.
Debati thekson pyetjen ligjore mbi përgjegjësinë e kompanive për përmbajtjen e krijuar nga AI, pasi Seksioni 230 i ligjit amerikan nuk mbulon imazhet e prodhuara nga vetë platformat./kb
