Kompania hungareze e naftës MOL pritet të nënshkruajë marrëveshjen e parë kyçe në bisedimet për blerjen e shumicës së aksioneve në kompaninë serbe të naftës NIS, e cila aktualisht është në pronësi ruse. Lajmi u konfirmua të enjten, më 15 janar, nga Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto.
Duke folur në Beograd, pas takimeve me ministrin serb të Energjisë, Szijjarto deklaroi se sapo të nënshkruhet marrëveshja e parë mes MOL dhe kompanisë ruse Gazprom Neft, dokumentacioni do t’i dërgohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara për miratim.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj NIS-it në muajin tetor, si pjesë e masave më të gjera kundër sektorit energjetik rus, për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë. Uashingtoni i ka dhënë NIS-it afat deri në fund të muajit mars për të negociuar largimin e aksioneve të mbajtura nga Gazprom dhe Gazprom Neft.
Sipas Szijjartos, qeveria hungareze mbështet negociatat e MOL-it për blerjen e aksioneve në NIS, duke theksuar se rafineria e vetme e Serbisë në Pançevo ka rëndësi strategjike për kompaninë hungareze dhe nuk do të mbyllet.
“Momenti i parë i rëndësishëm mund të arrihet në ditët në vijim. Marrëveshja e parë mes pronarit aktual shumicë dhe MOL-it mund të përfundojë shumë shpejt,” deklaroi ministri hungarez.
Nga ana e saj, kompania MOL refuzoi të komentojë detaje mbi blerjen e mundshme të NIS-it.
Aktualisht, Gazprom zotëron 11.3 për qind të aksioneve të NIS-it, ndërsa Gazprom Neft 44.9 për qind. Qeveria e Serbisë mban 29.9 për qind të aksioneve./mxh
