Franca ka nisur vendosjen e trupave ushtarake në Groenlandë, në një zhvillim që rrit tensionet gjeopolitike në Arktik. Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të enjten, më 15 janar, se një ekip i parë ushtarësh francezë ndodhet tashmë në territor, ndërsa përforcime të tjera do të dërgohen në ditët në vijim nga toka, ajri dhe deti.
Deklarata u bë gjatë fjalimit të Vitit të Ri drejtuar forcave të armatosura franceze, ku Macron theksoi se Franca dhe Evropa duhet të jenë të përgatitura për sfidat e reja të sigurisë.
Më herët gjatë ditës, presidenti francez thirri në Paris një mbledhje emergjente të kabinetit të mbrojtjes, ku u diskutua qëllimi i shpallur i presidentit amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll Groenlandën, si dhe situata e tensionuar në Iran pas shtypjes së protestave mbarëkombëtare.
Në shenjë mbështetjeje për Danimarkën dhe autoritetet e Groenlandës, edhe vende të tjera aleate si Gjermania, Norvegjia dhe Suedia kanë nisur dislokimin e trupave ushtarake në ishull.
Vendosja e forcave vjen pas një takimi të nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikanë, danezë dhe groenlandezë, i cili tregoi se mbeten dallime thelbësore, madje të pakapërcyeshme, mbi të ardhmen e Groenlandës dhe rolin e saj strategjik.
Në fjalën e tij, Macron nënvizoi angazhimin e Francës për forcimin e mbrojtjes kombëtare dhe evropiane, duke paralajmëruar se, sipas tij, “historia nuk fal as mungesën e përgatitjes dhe as dobësinë”./mxh
