Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi se forcimi i sigurisë dhe prania e aleatëve në Grenlandë është një çështje serioze që duhet të trajtohet brenda kornizës së NATO-s, duke theksuar se një ndërhyrje ushtarake tokësore në ishull është “shumë e vështirë” dhe se zgjidhja duhet të jetë politike.
Duke folur për gazetarët gjatë një vizite zyrtare në Japoni, Meloni tha se shqetësimet e shprehura nga Shtetet e Bashkuara lidhur me sigurinë në rajonin e Arktikut janë legjitime dhe serioze. Sipas saj, Grenlanda duhet të konsiderohet territor nën përgjegjësinë e NATO-s dhe çdo vendim për forcimin e pranisë ushtarake duhet të diskutohet dhe koordinohet brenda Aleancës Atlantike.
“Debati duhet të zhvillohet brenda NATO-s, për të shmangur veprimet e shpërndara dhe për t’i dhënë kuptim asaj që po bëhet,” u shpreh Meloni, duke shtuar se këto diskutime nuk duhet të shihen si përçarëse në marrëdhëniet me aleatët amerikanë, por si përgjigje ndaj një shqetësimi real dhe si dëshmi e gatishmërisë së vendeve evropiane për të marrë përgjegjësitë e tyre.
Ajo kujtoi se NATO e ka përcaktuar tashmë Arktikun si një zonë strategjike në dokumentet e saj dhe se Italia ka prezantuar së fundmi strategjinë e saj për Arktikun, duke reflektuar rëndësinë në rritje të rajonit për sigurinë globale. Italia mban statusin e vëzhguesit në Këshillin Arktik që nga viti 2013.
Deklaratat e Melonit vijnë në një kohë kur është rritur vëmendja ndërkombëtare ndaj Grenlandës, pas thirrjeve të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump për kontroll amerikan mbi ishullin, me arsyetimin e parandalimit të ndikimit rus ose kinez. Grenlanda, territor autonom i Danimarkës, i ka hedhur poshtë këto ide gjatë bisedimeve të zhvilluara së fundmi në Uashington, duke nxjerrë në pah dallime “themelore” mes palëve.
Ndërkohë, disa vende evropiane kanë dërguar një numër të vogël personeli ushtarak në Grenlandë në shenjë solidariteti me Danimarkën, një veprim që ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, tha se nuk e kuptonte plotësisht.
Në një tjetër çështje, Meloni shprehu solidaritetin e saj me popullin iranian dhe protestuesit që kërkojnë të drejtat e tyre. Ajo dënoi represionin dhe vrasjet nga regjimi iranian, duke theksuar se protestat paqësore nuk duhet të paguhen me jetën e njerëzve. Kryeministrja italiane bëri thirrje për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe për një de-përshkallëzim të situatës, si dhe për rikthimin në negociata, veçanërisht lidhur me çështjen bërthamore./mxh
