Last Updated on 07/11/2026 by Anisa
Partia Demokratike po intensifikon thirrjet për mobilizim në protestën e sotme, në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve që prej ditësh kanë dalë në rrugë kundër qeverisë Rama. Pas kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili u kërkoi demokratëve dhe qytetarëve të çdo bindjeje politike t’i bashkohen protestës, këtë herë është sekretari i Përgjithshëm i partisë, Flamur Noka, që ka përsëritur apelin për dalje në shesh.
Por përtej mbështetjes për studentët, Noka ka përcjellë edhe një mesazh për grupimet e tjera politike, duke theksuar se demokratët nuk duhet të shqetësohen nga partitë apo lëvizjet që, sipas tij, kërkojnë vëmendje përmes protestave.
“Çështjet që studentët ngrenë i përkasin të gjithë shoqërisë, jo vetëm opozitës”, deklaron Noka, i cili kërkon që protesta të mos ndahet sipas bindjeve politike dhe që askush të mos përcaktojë se kush ka të drejtë të jetë në shesh.
Në reagimin e tij, sekretari i Përgjithshëm i PD-së nuk ka lënë pa përmendur as raportin e forcës politike që përfaqëson me grupimet e tjera opozitare, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë.
“Sa për numrat në sheshe, PD ka 13 vjet që i lë mbrapa të gjithë. Demokratëve nuk u bëjnë përshtypje grupimet dhe partizat që kërkojnë vëmendje”, shkruan ai.
Në fund, Noka përsërit thirrjen për një protestë pa dallime politike, duke kërkuar që qytetarët t’i bashkohen revoltës studentore.
Protesta është paralajmëruar për sot, në orën 12:00, ndërsa PD ka ftuar mbështetësit e saj dhe qytetarët që të dalin në shesh në krah të studentëve dhe gjimnazistëve./ad
