Një 38-vjeçar është ndaluar nga policia e Durrësit pasi ishte shpallur në kërkim për vjedhje. Ai ishte kallëzuar për vjedhjen e disa pajisjeve elektrike në një magazinë. Po ashtu ai dyshohet se ka vjedhur ditën e djeshme në lagjen nr.13 një shumë parash.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh ndaluan shtetasin D. K., 38 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte i shpallur në kërkim më datë 11.01.2026, për veprën penale “Vjedhja”. Ndaj tij ka kallëzuar shtetasi B. D, se i ka vjedhur disa pajisje elektrike në magazinën e tij.
Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas dyshohet si autor edhe i një vjedhjeje tjetër më datë 16.01.2026, në lagjen nr. 13, pasi ka kallëzuar shtetasi A. B, se ky shtetas i kishte marrë një shumë parash dhe ishte larguar me vrap”, thuhet në njoftimin e policisë./mxh
