Kryeministri britanik Keir Starmer akuzoi Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se ka përdorur deklarata kritike ndaj Britanisë së Madhe për të ushtruar presion politik lidhur me çështjen e Grenlandës.
Duke folur në Parlament të mërkurën, më 21 janar, Starmer tha se sulmet e Trump ndaj marrëveshjes mes Londrës dhe Mauritiusit për Ishujt Chagos përfaqësojnë një ndryshim të papritur qëndrimi nga ana e presidentit amerikan, krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas Starmer, fjalët e Trump nuk kishin të bënin vetëm me marrëveshjen në Oqeanin Indian, por ishin një përpjekje e drejtpërdrejtë për të vënë presion mbi Britaninë dhe vlerat e saj në lidhje me të ardhmen e Grenlandës.
Presidenti Trump e cilësoi vendimin e Britanisë për t’i dorëzuar sovranitetin e Arkipelagut Chagos Mauritiusit si një akt “dobësie totale” dhe “marrëzi të madhe”, duke theksuar se ky rast forcon bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Grenlandës.
Ishujt Chagos përfshijnë edhe Diego Garcia-n, ku ndodhet një bazë strategjike ushtarake e përbashkët SHBA–Britani, me rëndësi kyçe për sigurinë ndërkombëtare.
Deklaratat e Trump kanë shtuar tensionet në marrëdhëniet mes Londrës dhe Uashingtonit, veçanërisht pasi Keir Starmer ka dalë hapur kundër ambicieve të presidentit amerikan për të marrë Grenlandën, duke theksuar se çdo veprim i tillë bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, pavarësisht shqetësimeve për praninë në rritje të Kinës dhe Rusisë në Arktik./mxh
