Banorët e Kievit u detyruan të kërkojnë ngrohje dhe energji elektrike në tenda emergjente të martën, më 20 janar, pasi sulmet ruse lanë pa energji dhe pa ngrohje disa zona të kryeqytetit ukrainas.
Në tendat e vendosura nga autoritetet, qytetarët pinin çaj të nxehtë, karikonin telefonat dhe përpiqeshin të përballonin të ftohtin ekstrem, ndërsa fëmijët luanin për të larguar frikën dhe stresin e situatës.
Tamara, 59 vjeçe, i tha Reuters se pa energji elektrike nuk mund të punojë nga shtëpia, por theksoi se nuk ka ndërmend të largohet nga Kievi, edhe nëse ndërprerjet vazhdojnë.
Rusia ka intensifikuar muajt e fundit sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke goditur me raketa dhe dronë qytete si Kievi, Harkivi dhe Dnipron.
Me temperaturat që kanë zbritur deri në minus 18 gradë Celsius dhe qytetin të mbuluar nga bora, qindra mijëra nga tre milionë banorët e Kievit po përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, duke e bërë jetën e përditshme gjithnjë e më të vështirë./mxh
