Last Updated on 21/01/2026 by EL
Sot shënohen plot 20 vite që prej ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës, politikani, studiuesi dhe shkrimtari shqiptar i Kosovës i cili shërbeu si President i Parë i Republikës së Kosovës. Ish-kreu i LDK, u nda nga jeta më 21 janar të vitit 2006.
Në Kosovë është duke u mbajtur Akademia Përkujtimore në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit Dr. Ibrahim Rugova si edhe janë mbajtur homazhe në nder të “Heroit të Kosovës”, ku prezente ka qënë edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila vlerësoi rolin e tij vendimtar në ndërtimin e aleancave me partnerët euroatlantikë, duke theksuar se vizioni i Rugovës mbetet edhe sot një dritë udhërrëfyese për Kosovën.
“Presidenti Rugova, bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri pavarësi dhe demokraci, kauzë kjo që është akoma e gjallë dhe është jetësuar për shkak të sakrificës së madhe të popullit tonë, luftës sonë çlirimtare dhe ndërtimit të aleancave me aleatët tanë strategjik brenda familjes euroatlantike, aleanca këto që i ndërtoi presidenti Rugova me një vizion të pashoq, vizion ky i cili edhe sot mbet dritë udhërrëfyese për gjithësecilin prej nesh, që e duam Kosovën akoma më të fortë dhe të integruar në strukturat euroatlantike”, tha Osmani.
I pranishëm në homazhe ka qënë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës i cili është shprehur: “Një meritë e jashtëzakonshme i takon presidentit Rugova për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, marrë parasysh se asaj kohe shumë pak dinte ku ndodhej Kosova dhe për problemet që ballafaqohej dhe ai arriti të depërtoj në qendra kryesore botërore, duke ndërkombëtarizua çështjen shqiptare dhe duke shpërfaq terrorin dhe dhunën e Serbisë ndaj një populli të pafajshëm shqiptarë. Rugova gjithashtu ka rol të rëndësishëm në procese të ndryshëm, përfshirë në atë të Rambujesë, në themelimin e institucioneve të pasluftës, prandaj mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës dhe vendit tonë”
Po ashtu Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se kujtesa për këtë përkujtim është përgjegjësi politike dhe morale. Edhe të tjerë politikanë të Kosovës kanë kujtuar ditën e sotme, kontriibutin dhe vlerat që Ibrahim Rugova la pas.
Ibrahim Rugova, udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimit serbo–jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës. Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës./et
