Në Shqipëri, ndryshimet klimatike po sjellin më pak reshje vjetore, por më shumë prurje, duke shkaktuar fillimisht thatësirë dhe më pas përmbytje. Ekspertët e Institutit të Gjeoshkencës thonë se reshjet vjetore në Shqipëri pritet të ulen me 20% në vit.
“Territori i Shqipërisë merr afërsisht një mesatare shumëvjeçare diku 1500-1800 mm shi në vit. Në bazë të ndryshimeve klimatike, përsa i përket mesatares vjetore, pritet që të kemi një pakësim 10-20% të këtyre reshjeve. Në kuadrin e akumulimit të ujit, përveç përmbytjeve duhet të kemi parasysh edhe thatësirën. Vërejmë në Shqipëri, në zonat malore, që edhe reshjet në formë bore janë pakësuar, çka bën që një akumulim apo rezervim uji që do të ishte në formë bore, tashmë bie në formë shiu dhe shkon shumë shpejt në det, dhe ne nuk arrijmë dot ta mbajmë përveç rezervuarëve bujqësorë. Kështu që duhet të kemi një vëmendje të shtuar edhe për këto pakësime të sasive që janë vjetore” , thotë Alban Doko, hidrolog në IGJEO.
Nga ana tjetër, prurjet e lumenjve dhe përrenjve priten të rriten duke rrezikuar daljen e tyre nga shtrati.
“Përsa i përket vlerave pik ose ekstreme që janë si për temperaturat dhe për reshjet, prurjet pritet të rriten me 10-15% krahasuar me vlerat që kemi deri më sot. Nëse prurja maksimale në lumin Shkumbin pritet të arrijë në 2000 metër kub, duhet t’i shtojmë edhe 10-15%, duke bërë që të arrijë 2300 metër kub në sekondë”, shprehet Doko.
Krahas rritjes së pyllëzimit, ekspertët rekomandojnë mirëmbajtjen e hidrovoreve për të minimizuar fenomenin e përmbytjeve.
“Edhe Shqipëria, ashtu si vendet e Europës dhe të zonës së Mesdheut, është e prekur nga ndryshimet klimatike. Përveç kësaj, vlen të theksohet pyllëzimi, por ndërkohë që ne e dimë kush janë lumenjtë, në ultësirën perëndimore çdo gjë është ndërtuar me argjinatura dhe kanale kulluese. Këto duhen mirëmbajtur, pasi nuk vlen vetëm për të marrë masa në pjesën e sipërme të pellgjeve, por hidrovoret e kanë pellgun e kufizuar dhe duhet të mirëmbahen edhe nga njerëzit, që të mos ndërtojnë mbi to dhe të mos hedhin mbeturina”, shton Doko.
Ekspertët e hidrologjisë thonë se duhet të ndiqen edhe praktikat e vendeve më të zhvilluara, pasi në zonat që dikur kanë qenë toka bujqësore, sot ka ndërtime banesash dhe biznesesh, për të cilat duhet të krijohen hidrovore të vegjël./kb
