Last Updated on 27/01/2026 by Leonard
Ashtu si aristokracia e frikësuar siciliane në romanin epik të vitit 1958, Evropa kapet pas status quo-së. Por rënia e menaxhuar nuk është e vetmja zgjedhje.
Joseph de Weck*
Pak pas çerekut të parë të shekullit, Evropa duket se ka mbërritur në një pikë kthese. Për dekada me radhë, pjesa e saj në PBB-në globale ka ardhur duke u tkurrur dhe ndikimi i saj gjeopolitik është zbehur. Në një moment të caktuar, rënia relative mund të shndërrohet në rënie absolute. Ky moment mund të jetë duke u afruar.
SHBA-të, Rusia dhe Kina janë të angazhuara hapur në një “garë për Evropën”. Moska kërkon të rikthejë hegjemoninë në lindje. Pekini dëshiron industrinë evropiane; Uashingtoni kërkon bindje – dhe Grenlandën. Gjermanët janë bërë ankthiozë për të ardhmen. Franca e çorientuar nuk po arrin të rregullojë buxhetin. E etur për rritje, Brukseli po çmonton legjislacionin klimatik të miratuar vetëm pak vite më parë, ndërsa përkulet për së prapthi për të qetësuar Donald Trumpin. Pak gjë ka mbetur nga dinjiteti evropian – një ndjenjë rënieje shoqërore po fillon të zërë vend.
Ndoshta për këtë arsye adaptimi i fundit i Netflix-it i kryeveprës së vitit 1958 të Giuseppe Tomasi di Lampedusa-s, Il Gattopardo (Leopardi), po gjen jehonë te audiencat në mbarë kontinentin. Romani epik i Lampedusa-s kronikon rënien e një familjeje aristokratike siciliane në shekullin XIX – dhe, në mënyrë më të qëndrueshme, mentalitetin e elitave që e ndiejnë se bota e tyre po mbaron, por janë gati të bëjnë kompromise dhe pothuajse çdo gjë për ta zgjatur pushtetin edhe pak më tej.
Klasa politike e Evropës, e varur mes dhimbjes dhe vetëkënaqësisë, ka filluar t’i ngjajë asaj aristokracie dhe është pajtuar me një strategji rënieje të menaxhuar. E megjithatë, “për sa kohë ka vdekje, ka shpresë”, shkruan Lampedusa, dhe Evropa nuk është domosdoshmërisht e humbur – nëse udhëheqësit e saj nxjerrin mësimet e duhura nga Leopardi.
Ta lexosh Leopardin është një festë; ta shohësh adaptimin e Luchino Viscontit të vitit 1963 është detyrim; të qëndrosh me serialin e Netflix-it, me ritmin e tij çlodhësisht të ngadaltë, është kohë e shpenzuar mirë. Për lexuesin e ngarkuar, ja përmbledhja: i vendosur gjatë bashkimit të Italisë, Leopardi ndjek Princin e Salinës, një aristokrat sicilian në moshë, që jeton rehat falë pronave të tij të mëdha. Rreth tij, megjithatë, bota po ndryshon. Fshatarët aspirojnë të bëhen më shumë se punëtorë në tokat e princit. Pushteti aristokratik lë vendin për një borgjezi agresive.
Me sy të kthjellët, princi e kupton fare mirë se mënyra e tij e jetesës po vdes. Pasuria dhe privilegjet po i rrëshqasin nga duart. “Gjithçka duhet të ndryshojë që gjithçka të mbetet njësoj”, deklaron famshëm nipi i tij, Tancredi, duke e nxitur xhaxhain të rreshtohet me rendin e ri ekonomik dhe politik. Por nëse të mbetesh në majë kërkon të heqësh dorë nga vlerat dhe traditat e tua, a është kjo vërtet fitore?
Princi krenar tërhiqet nga dinjiteti i rezistencës, por nuk i shpëton dot logjikës së dorëzimit pragmatik, me shpresën për ta vonuar rënien e familjes së tij. Duke e lexuar sot Leopardin, është e vështirë të mos e shohësh Evropën te Princi melankolik i Salinës.
Ashtu si princi, shumë evropianë kanë jetuar jetë relativisht të begata. Dhe, si aristokratët e një epoke të shkuar, shumica e evropianëve janë të bindur për epërsinë e modelit të tyre – rend demokratik, kapitalizëm të zbutur, kulturë të rafinuar – duke injoruar faktin se kjo pasuri mbështetet edhe mbi shfrytëzimin e të tjerëve.
Evropianët gjithashtu e ndiejnë se historia po ecën kundër tyre. Brenda vendit, politika është shndërruar në një garë nostalgjish. E djathta populiste në rritje ëndërron një të kaluar nacionaliste të imagjinuar, ndërsa qendra politike evropiane sillet si vetë Princi i Salinës – duke u përpjekur ta zgjasë të tashmen përmes përshtatjes taktike: pak më shumë borxh këtu, shkurtime mirëqenieje atje, deregulim dhe, mbi të gjitha, përkulje ndaj Mbretit Trump, i cili i tall udhëheqësit e BE-së në rrjetet sociale dhe i fyen hapur si “të dobët”.
Sigurisht, kjo politikë e “ia dalim disi” ka virtytet e saj. Rënia e menaxhuar është më e mirë se arroganca e ndjekur nga kolapsi. Por ekziston një alternativë si ndaj mohimit, ashtu edhe ndaj pajtimit.
Pyetja thelbësore pas aforizmës së Tancredit është kjo: nëse përshtatesh që “gjithçka të mbetet njësoj”, çfarë po përpiqesh saktësisht të ruash?
Princi nuk ka një përgjigje bindëse. Ai kërkon të mbajë në këmbë një rend që i shërben vetëm atij vetë. Evropianët, përkundrazi, kanë plot aleatë – nëse zgjedhin të mbrojnë parime si demokracia, shteti i së drejtës, një aparat shtetëror ku nuk kemi pse të jetojmë me frikë dhe parimin e sovranitetit territorial. Siç pamë javën e kaluar, përballja me Trumpin për tarifat që ai kërcënoi për shkak të Grenlandës dha rezultat. Të bashkuar, Evropa nuk është aspak e dobët.
Dhe Evropa mund ta ruajë këtë ndjenjë qëllimi nëse përqendrohet te ambicia për të ndërtuar një ekonomi që të jetë njëkohësisht e suksesshme dhe t’u lejojë njerëzve të jetojnë jetë me kuptim. Të përparosh një rend që vë nevojat njerëzore mbi interesat e kapitalit nuk është dekadencë. Ndryshe nga bota e princit, mënyra evropiane e jetesës nuk është e dënuar – jo më pak sepse evropianët nuk duan ta shohin kontinentin të shndërrohet në atë që Sicilia është për Italinë te Leopardi: një periferi e qeverisur nga të tjerët.
Evropianët ende po tregojnë shenja rezistence: 76% e qytetarëve evropianë hodhën poshtë verën e kaluar marrëveshjen poshtëruese tregtare me Trumpin, tregojnë sondazhet, dhe 81% duan që BE-ja të ndërtojë një politikë të përbashkët mbrojtjeje dhe sigurie. Me 74%, mbështetja për BE-në nuk ka qenë kurrë më e lartë. Dhe ndërsa lufta e Rusisë hyn në vitin e pestë, opinioni publik evropian ka mbetur i përkushtuar ndaj Ukrainës.
Po, Evropa do të duhet të ndryshojë thellësisht nëse dëshiron të mbrojë atë që ka vërtet rëndësi. Ruajtja e aftësisë së Evropës për të zgjedhur të ardhmen e saj kërkon një BE më të fortë dhe më demokratike. Në Davos, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për t’u shkëputur nga “nostalgjia” në emër të ndërtimit të një Evrope të re, të pavarur. Çdo poshtërim nga Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin i bën evropianët më të hapur ndaj këtij argumenti.
Pyetja e vërtetë, pra, është nëse udhëheqësit tanë janë gati ta drejtojnë ndryshimin, e jo thjesht ta durojnë pasivisht. Apo nëse, si princi, tërhiqen nga beteja, duke shpresuar vetëm të gjejnë rehati deri në fundin e tyre. Në fund të fundit, kjo është thënia më aristokratike dhe më e papërgjegjshme nga të gjitha: après moi, le déluge – pas meje, përmbytja.
*Joseph de Weck është bashkëpunëtor në Institutin për Kërkime të Politikës së Jashtme/ Përgatiti për botuim: L.Veizi
