Qeveria e Suedisë ka njoftuar se do të paraqesë një projektligj që parashikon uljen e moshës së përgjegjësisë penale për të miturit nga 15 në 13 vjeç, për krime të rënda, duke hapur mundësinë që në raste të caktuara ata të ndëshkohen edhe me burgim.
Ministri i Drejtësisë, Gunar Stemer, ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për një ulje të përgjithshme të moshës së përgjegjësisë penale për të gjithë, por vetëm për rastet më serioze, siç janë vrasjet, përpjekjet për vrasje, sulmet me bomba me rrethana rënduese, krimet me armë apo përdhunimet, gjithmonë me rrethana rënduese.
Ky propozim vjen në një kohë kur Suedia është përballur me një rritje të dhunës së lidhur me krimin e organizuar, përfshi rekrutimin e të miturve nën 15 vjeç për sulme me armë dhe bomba, pasi deri më sot ata nuk përballen me dënime me burg nëse kapen.
Projektligji është dërguar për konsultim publik te 126 autoritete dhe organizata, por ka marrë kritika të shumta.
Shumë institucione, përfshirë policinë, shërbimet korrektuese dhe prokurorët, janë kundër tij, duke argumentuar se ulja e moshës mund të përfshijë fëmijë shumë të rinj në sistemin penal dhe se sistemi korrektues nuk është i përgatitur për të pranuar të mitur kaq të vegjël.
Qeveria pretendon se masat janë të nevojshme për të adresuar seriozisht rritjen e dhunës dhe krimit të organizuar, megjithëse diskutimi publik mbi këtë çështje është i ashpër dhe me kundërshtime të forta./kb
