Last Updated on 27/01/2026 by EL
Irani deklaroi se lëvizja e një anijeje luftarake amerikane drejt rajonit nuk do të zbehte vendosmërinë apo aftësinë e tij për t’u mbrojtur, pas paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump për një “armadë” amerikane në drejtim të Lindjes së Mesme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, u shpreh se Teherani do t’i përgjigjet “me vendosmëri” dhe “në mënyrë gjithëpërfshirëse” çdo kërcënimi. Ai kritikoi gjithashtu përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të shpallur institucione iraniane si organizata terroriste, duke theksuar se Irani e konsideron reagimin reciprok si një të drejtë legjitime.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të enjten, më 22 janar, se Shtetet e Bashkuara kanë një “armadë” që po i afrohet Iranit, por shtoi se shpreson të mos ketë nevojë ta përdorë atë. Trump paralajmëroi Teheranin kundër vrasjes së protestuesve apo rifillimit të programit bërthamor.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë që folën për Reuters, një aeroplanmbajtëse amerikane dhe anije mbështetëse kanë mbërritur në Lindjen e Mesme, duke rritur kapacitetet e Uashingtonit për të mbrojtur forcat e tij ose për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit.
Në të kaluarën, ushtria amerikane ka dërguar trupa shtesë në rajon në periudha tensioni të lartë, kryesisht për qëllime mbrojtëse. Megjithatë, vitin e kaluar SHBA realizoi një grumbullim të madh forcash përpara sulmeve të qershorit ndaj programit bërthamor iranian.
Një zyrtar i lartë iranian paralajmëroi se çdo sulm ndaj Iranit do të konsiderohet si “luftë e gjithanshme” kundër vendit./mxh
