Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë një paralajmërim të ashpër Iranit, duke i kërkuar që të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të arrijë një marrëveshje për programin bërthamor, përndryshe ka kërcënuar me një tjetër sulm ushtarak edhe më të fortë.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se një “armadë e madhe” po lëviz drejt Iranit, e përbërë nga një flotë e fuqishme detare, e kryesuar nga aeroplanmbajtësja Abraham Lincoln. Ai theksoi se kjo flotë është gati të veprojë shpejt dhe me forcë, nëse do të jetë e nevojshme.
Presidenti amerikan u shpreh se shpreson që Irani të pranojë të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të balancuar, që garanton se Teherani nuk do të pajiset me armë bërthamore. Sipas tij, koha po mbaron dhe situata është urgjente.
Trump kujtoi gjithashtu se një paralajmërim i mëparshëm ndaj Iranit ishte pasuar nga një operacion ushtarak, duke shtuar se një sulm i ardhshëm do të ishte “shumë më i keq”, nëse Irani refuzon sërish të bëjë një marrëveshje.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka deklaruar se Teherani nuk ka kërkuar bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe se nuk ka pasur kontakte të fundit për negociata.
Paralajmërimi i Trump vjen në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa çështja e programit bërthamor iranian mbetet një nga temat më të ndjeshme të sigurisë ndërkombëtare./mxh
