Last Updated on 30/01/2026 by EL
Prokuroria ka nisur një hetim paraprak për të shqyrtuar përgjegjësitë e mundshme si të kompanisë, ashtu edhe të institucioneve dhe shërbimeve që u përfshinë në procesin e licencimit të fabrikës së biskotave Violanta, pas shpërthimit vdekjeprurës që i mori jetën pesë punonjësve.
Paralelisht, po dalin në dritë dokumente dhe leje që tregojnë mungesa dhe parregullsi ndër vite.
Sipas njoftimit të Shërbimit Zjarrfikës, shpërthimi u shkaktua nga rrjedhja e propanit në një tub që transportonte gazin nga rezervuarët drejt fabrikës.
Bazuar në të dhënat e deritanishme, propani rrodhi në tokë duke e “ngopur” atë, çka solli grumbullimin e një sasie të madhe gazi në bodrumin e fabrikës. Aty u krijua një rezervuar i improvizuar gazi, i cili u ndez nga një shkëndijë që dyshohet se erdhi nga pompa e ujit.
Shkaqet e sakta të rrjedhjes në tubacione janë ende objekt hetimi. Një nga skenarët që po shqyrtohet është nëse dëmtimet janë shkaktuar verën e kaluar, kur zona ku kalojnë tubat u asfaltua dhe mbi të kaluan mjete të rënda.
Në dokumente të tjera që kanë dalë në dritë lidhur me fabrikën Violanta, evidentohet edhe një element tjetër kritik. Në vitin 2020, në një dokument të Rajonit të Thesalisë, theksohej se dy rezervuarët e propanit të fabrikës nuk ishin vendosur në vendin e duhur, fakt që tani po shqyrtohet në lidhje me rrethanat që çuan në tragjedi.
Hetimi paraprak i prokurorisë pritet të përqendrohet si në shkaqet teknike të shpërthimit, ashtu edhe në të gjitha lejet dhe kontrollet e kryera ndër vite, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive aty ku ato ekzistojnë. Po hetohet gjithashtu nëse kompania iu përmbajt udhëzimeve të dhëna dhe çfarë veprimesh pasuan.
Ndërkohë, sipas informacioneve që kanë dalë gjatë hetimit, bodrumi i fabrikës, i cili për shkak të rrjedhjes u shndërrua në një rezervuar të improvizuar propani, nuk kishte leje.
Këtë çështje e bëri publike nënkryetari i bashkisë së Trikalave, Giorgos Katavoutas, duke folur mëngjesin e sotëm për televizionin shtetëror ERT.
“Leja e parë e ndërtimit e vitit 2007, që është edhe e para e lëshuar, sipas asaj që ka deklaruar pronari, nuk përfshinte asnjë referencë për bodrumin, ndaj ai nuk figuron në lejen e ndërtimit të vitit 2007 të urbanistikës. Që atëherë janë lëshuar edhe shtatë leje të tjera, pra gjithsej tetë leje, por deri më sot mendoj se bodrumi nuk është deklaruar”, u shpreh ai./et
