E fundit e Dinastisë Osmane, e dëbuar nga Turqia, jetoi mes Evropës dhe Lindjes me një emër që nuk u shua kurrë
Ajo është personi i fundit i regjistruar në trungun familjar të Dinastisë Osmane. Neslişah Sultan përjetoi fatin e pazakontë të ishte njëkohësisht anëtarja më e re dhe më e moshuar e një dinastie të fuqishme që për më shumë se gjashtë shekuj kishte sunduar një perandori të madhe.
Perandoria Osmane ekzistoi nga viti 1299, kur Osmani I themeloi dinastinë, deri më 1922, kur u rrëzua sulltani i fundit Mehmed VI, ndërsa Turqia u shpall republikë nën udhëheqjen e Mustafa Kemal Atatürk. Anëtarët e familjes sunduese u detyruan të shkonin në mërgim. Kthimi iu lejua në vitet ’50, por vetëm grave; ndërsa vetëm një çerek shekulli më vonë edhe burrave iu lejua të vizitonin atdheun. Ndërkohë, të gjithë humbën titujt. Përfaqësuesja e fundit e Dinastisë Osmane ishte Sulltanesha Neslişah.
Ajo lindi më 4 shkurt 1921, në një pallat në Istanbul, vetëm një vit para ngjarjeve që do të ndryshonin historinë e Turqisë. Kur u regjistrua në librin e lindjeve, askush nuk mund ta parashikonte se do të ishte anëtarja e fundit “e regjistruar” e dinastisë. Edhe pse kishte dy motra më të vogla, emrat e tyre nuk u shënuan, pasi sulltanati ishte shfuqizuar ndërkohë.
Nëna e saj ishte princesha Sabiha, vajza e tretë dhe më e vogël e sulltanit Mehmed VI, ndërsa i ati, princi Ömer Faruk, ishte djali i vetëm i kalifit të fundit osman Abdulmejid II. Pas dëbimit, familja u vendos në Nicë, ku Neslişah kaloi fëmijërinë dhe u shkollua. Jeta, megjithatë, nuk ishte e lehtë: nuk kishte asnjë gjurmë të luksit të dikurshëm të pallatit perandorak. Malli për atdheun ishte i madh, ndërsa shumë anëtarë të dinastisë në mërgim e mbyllën jetën në varfëri të skajshme.
Sulltanesha Neslişah, Foto: Alamy
Në prag të Luftës së Dytë Botërore, Neslişah u shpërngul me prindërit dhe motrat në Egjipt, ku u vu re nga një princ i ri, Hasan. Edhe pse kalifi nuk e bekoi këtë dashuri, princesha u fejua me egjiptianin hijerëndë. Martesa, megjithatë, nuk u realizua.
“Po”-në vendimtare ia tha një princi tjetër, Muhamed Abdel Moneim, djalit të kedivit (nënmbretit) të fundit egjiptian Abbas Hilmi II. Në dasmën e mbajtur në shtator 1940 në një pallat në Kajro, ajo mori titullin e Lartmadhërisë së Saj. Një vit më pas lindi djalin, princin Abbas Hilmi, ndërsa në vitin 1944 vajzën, princeshën Ikbal.
Kur Lëvizja e Oficerëve të Lirë rrëzoi mbretin Faruk në revolucionin e qershorit 1952, Moneim u emërua princ-regjent. Bashkëshortja e tij shfaqej rrallë në publik dhe ishte kryesisht e përkushtuar ndaj punës bamirëse. Regjenti, në fakt, nuk kishte pushtet real, pasi në krye të shtetit kishte ardhur Gamal Abdel Nasser.
Sulltanesha Neslişah me bashkëshortin dhe fëmijët
Nën akuzën se vepronin kundër Naserit, Moneim dhe Neslişah u arrestuan në vitin 1957, duke e detyruar princeshën të përballej edhe një herë me mërgimin. U liruan pas ndërhyrjes së presidentit turk, i cili në vitin 1963 ia riktheu shtetësinë. Ajo fitoi gjithashtu të drejtën të rikthente mbiemrin familjar Osmanoğlu në dokumente. Pas vdekjes së bashkëshortit, jetoi në disa kryeqytete evropiane, derisa në vitin 1979 u vendos përfundimisht në vendin e origjinës.
Ajo fliste rrjedhshëm disa gjuhë, përveç gjuhës amtare, përdorte frëngjishten, anglishten, gjermanishten dhe arabishten. Ishte skiatore, notare dhe kalëruese e pasionuar; interesohej për histori, letërsi, gjeografi, botanikë dhe kulinari. Ndiqte edhe serialin popullor “Sulejmani i Madhërishëm”, i cili, sipas burimeve të afërta, nuk i përmbushi pritshmëritë.
Pas kthimit në Istanbul, Sulltanesha Neslişah e gjeti sërish veten. Ajo thoshte se, duke ecur nëpër rrugë dhe duke kaluar pranë pallateve që kishin ndërtuar paraardhësit e saj, ndiente thellë lidhjen me ta. Me këtë ndjenjë jetoi dhe me të u nda nga jeta. E qetë dhe e pajtuar, e priti pleqërinë në qytetin e lindjes, ku vdiq më 2 prill 2012, në moshën 91-vjeçare, pas një ataku kardiak. U varros në varrezat Aşiyan, pranë nënës dhe motrave, në majë të një kodre me pamje nga Bosfori.
Sulltanesha Neslişah ndërroi jetë në vitin 2012. Foto: AFP
Bashkatdhetarët e përshkruanin si një zonjë dinjitoze dhe sharmante, me qëndrim fisnik, që gjithmonë theksonte prejardhjen e saj dhe respektonte traditën. Për ta, ajo mbeti simboli i fundit i një epoke të fuqishme dhe i një historie madhështore më shumë se gjashtëqindvjeçare. /et



