Deputeti i Lëvizjes “Bashkë”, Redi Muçi në një dalje televizive ka thënë se partia e tij vijon të jetë kundër çdo bashkëpunimi me Berishën.
Muçi tha se ftesa e Berishës për partitë e reja është thjesht një interes i dmeokratëve për të rifituar një lloj legjitimiteti.
Deputeti i Lëvizjes “Bashkë” deklaroi se ekzistojnë dy faktorë që lidhin Berishën dhe Ramën, reforma zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese.
Më tej, Muçi tha se ndryshimet e Kodit Zgjedhor nuk avantazhojnë partitë e reja.
“Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë kundër çdo bashkëpunimi ku faktori përbashkues është Sali Berisha dhe Partia Demokratike. E konsiderojmë këtë thjesht si manovër të radhës të Partisë Demokratike për të rifituar një lloj legjitimiteti. Është interes që lidh Berishën me partitë e reja. Por, për ne janë dy faktorë që lidhin Berishën me Ramën. E para, lidhet me kufizimin nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, të veprimit të drejtësisë ndaj figurave kryesore, siç janë Rama dhe Berisha; E dyta, Reforma Zgjedhore, që Berisha dhe Rama duan të kufizojnë numrin e deputetëve dhe vetë të bëhen senatorë të përjetshëm. Rrjedhimisht, ne besojmë që Kodi Zgjedhor, i hartuar nga Rama dhe Berisha, nuk do të avantazhojnë partitë e reja”, tha Muçi./mxh
