Ish-prokurori Eugen Beçi i ftuar në A2 CNN ka folur për raporitet e politikës me drejtësinë. Beçi tha se mazhoranca në momentin që i ka punët mirë me drejtësinë, fillon dhe e sulmon, e njëjta gjë dhe nga opozita.
Ish-prokurori u shpreh se si mazhoranca dhe opozita ishin ata që u dakordësuan me 140 vota për drejtësinë që sulmojnë sot, kur miratuan reformën në drejtësi.
Më tej, Beçi tha se në momentin kur goditen nga drejtësia, mazhoranca dhe opozita afrohen me njëra-tjetrën.
“Është një histori e vjetër në Shqipëri, problemi i qasjes së politikës me drejtësinë. Duket se mazhoranca në momentet që nuk e ka oreksin e mirë me drejtësinë, e sulmon. Gjithashtu, edhe opozita bën po të njëjtën gjë dhe të dyja palët harrojnë që momenti të cilin ato u dakordësuan me 140 vota plot puthje, plot përqafime, ishte momenti më i rëndësishëm për ata që të kuptonin që nesër nuk mundet të flisnin më tej. Ishte momenti më i rëndësishëm që ata të kuptonin që të nesërmen, kur t’u vinte në derën e tyre një problem që ata e quajnë të padrejtë, nuk mundet të sulmonin në këtë formë. Deri para pak kohësh, ne shikonim një mazhorancë që e lëvdonte më tepër sesa duhet drejtësinë dhe një opozitë që e shante më tepër sesa duhet drejtësinë. Duket se rolet nuk është se janë ndryshuar, por opozita dhe mazhoranca duket sikur po i qasen dhe po i afrohen njëra-tjetrës vetëm në momentin kur ato sulmohen nga drejtësia”, tha Beçi./mxh
