Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kanë vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve gjatë një bisede përmes video-konference, të zhvilluar të mërkurën, në prag të përvjetorit të katërt të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Sipas transmetimit të televizionit shtetëror rus, Putin tha se marrëdhëniet Moskë-Pekin përbëjnë një faktor të rëndësishëm stabilizues në një kohë trazirash në rritje në skenën globale. Ai vlerësoi gjithashtu partneritetin e ngushtë energjetik mes dy vendeve, duke e cilësuar atë si strategjik dhe me përfitime të ndërsjella.
Nga ana e tij, Presidenti kinez Xi Jinping u shpreh se Kina dhe Rusia duhet të hartojnë një “plan të madh” për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, të cilat, sipas tij, po ecin në drejtimin e duhur. Ai bëri thirrje për intensifikimin e kontakteve në nivelet më të larta dhe për forcimin e bashkëpunimit praktik në fusha të ndryshme.
Kina dhe Rusia shpallën një partneritet strategjik “pa kufij” pak ditë para se Moska të niste ofensivën ushtarake në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, një bashkëpunim që ka marrë rëndësi të shtuar në kontekstin e tensioneve globale dhe izolimit të Rusisë nga Perëndimi./mxh
