Imazhi i Cortina d’Ampezzo-s si një kryeqytet botëror i skive nuk lindi në vitet e bumit ekonomik, por në heshtjen e rëndë të Luftës së Dytë Botërore. Sot, ndërsa sytë e botës drejtohen nga Lojërat Olimpike Dimërore 2026 dhe kujtesa rikthehet te edicioni i paharruar i vitit 1956 – Lojërat e para Dimërore të zhvilluara në Itali – pak kush mendon se ajo lavdi ishte, në njëfarë mënyre, një shpërblim i vonuar i historisë. Sepse, nëse bota nuk do të ishte zhytur në konflikt, Italia do t’i kishte pritur Lojërat që në vitin 1944.
Detyra e vitit 1939: një ëndërr në prag të katastrofës
Në qershorin e vitit 1939, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar zgjodhi Cortina d’Ampezzo-n si mikpritëse të Lojërave të pesta Dimërore, duke lënë pas Montrealin dhe Oslon. Për Italinë, kjo ishte më shumë se një ngjarje sportive: ishte një skenë prestigji ndërkombëtar. Por pushtimi i Polonisë shënoi fillimin e fundit. Dokumentet e CONI-t dëshmojnë se përpjekjet për ta mbajtur gjallë ëndrrën vazhduan deri në vitin 1941, me shpresën – tashmë iluzore – për një paqe të shpejtë.
Arkeologjia olimpike: nga viti 1944 te Milano–Kortina 2026
Mrekullia e parealizuar e vitit 1944 la pas gjurmë konkrete. Planet për trampolinën legjendare të kërcimit me ski “Italia”, në Zuel, ishin gati që atëherë. Edhe pse struktura ikonike u ndërtua më 1956, vendi dhe projekti i saj kishin marrë formë që në vitet ’30.
Një tjetër relike është pista e bobsleigh-it. Sipas të dhënave komunale të Cortina-s, ajo ekzistonte që në vitin 1923, ndërsa modernizimi i saj ishte parashikuar për vitin 1944. Të ecësh sot përgjatë pistës “Eugenio Monti” – pjesë thelbësore edhe e planeve për Milano–Kortina 2026 – është si të sodisësh një vepër inxhinierike që priti dymbëdhjetë vjet për t’u bërë legjendë.
Teknologjia e akullit dhe trashëgimia për vitin 2026
Lojërat e vitit 1944, po të ishin zhvilluar, me gjasë do të kishin shënuar kalimin nga fushat natyrore të akullit drejt zgjidhjeve moderne teknologjike. Kronikat e kohës tregojnë se përgatitjet logjistike po studionin tashmë rezistencën e materialeve ndaj ngricës – njohuri që më vonë do të bëheshin themelore për Stadiumin e Akullit të vitit 1956.
“Mrekullia e munguar” e ’44-s, megjithatë, nuk ishte kohë e humbur. Pa atë kandidaturë, Cortina nuk do të kishte fituar autoritetin që i hapi rrugën Lojërave të vitit 1956 – dhe ndoshta as sfidës së sotme të Milano–Kortina 2026.
Burimi: focus.it/ Nga Roberto Graziosi/ Përgatiti për botim: L.Veizi
