Mediaset dhe MFE (MediaForEurope) kanë ngritur padi civile kundër Fabrizio Corona-s, duke kërkuar 160 milionë euro dëmshpërblim për dëme reputacionale dhe ekonomike. Padia lidhet me deklaratat e bëra nga ish-paparaci në programin e tij online Falsissimo, të cilat kompania i cilëson si të rreme, shpifëse dhe thellësisht fyese.
Në një deklaratë zyrtare, kompania thekson se përmbajtjet e shpërndara nga Corona përbëjnë “një sërë gënjeshtrash, pavërtetësish dhe insinuatash pa asnjë bazë faktike, të shprehura me një dhunë verbale të paprecedentë dhe pa respekt për personat e përfshirë, familjet e tyre dhe komunitetet përkatëse”.
Sipas Mediaset, nuk bëhet fjalë për thashetheme apo zëra, por për “një mekanizëm të organizuar dhe sistematik, ku gënjeshtra përdoret si mjet përfitimi financiar”. Në deklaratë thuhet se Corona do të kishte fituar “mijëra euro çdo javë” përmes asaj që përshkruhet si një fushatë e mirëfilltë urrejtjeje.
Mes palëve të dëmtuara që i janë bashkuar padisë përmenden figura të njohura të medias italiane dhe drejtues të grupit, përfshirë Pier Silvio Berlusconi, Marina Berlusconi, Maria De Filippi, Silvia Toffanin, Gerry Scotti, Ilary Blasi dhe Samira Lui.
Mediaset dhe MFE njoftojnë gjithashtu se rezervojnë të drejtën të ndërmarrin veprime ligjore edhe ndaj kujtdo që në çfarëdo forme, ka kontribuar me vetëdije në përhapjen apo amplifikimin e këtyre përmbajtjeve.
Një aspekt i rëndësishëm i padisë lidhet me përdorimin e shumës së mundshme të dëmshpërblimit: në rast se gjykata vendos në favor të paditësve, ato do të përdoren për krijimin e një fondi për mbulimin e shpenzimeve ligjore të viktimave të përndjekjes, krimeve të parashikuara nga i ashtuquajturi “Kodi i Kuq” dhe të gjitha formave të bullizmit kibernetik.
Padia e Mediaset vjen vetëm disa orë pasi Fabrizio Corona kishte njoftuar synimin e tij për të paditur kompaninë për tentativë shantazhi, përmes avokatit të tij Ivano Chiesa. Përplasja mes palëve kishte nisur që në dhjetor, kur përmbajtjet e Falsissimo u publikuan fillimisht në YouTube.
Çështja tashmë ka kaluar zyrtarisht në rrugë gjyqësore, duke u konsideruar një nga konfliktet ligjore më të bujshme të kohëve të fundit në median italiane./mxh
