Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të udhëheqë një delegacion të madh të zyrtarëve amerikanë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, këtë fundjavë, njoftoi të hënën drejtuesi i këtij takimi vjetor të ekspertëve dhe politikëbërësve për sigurinë, Wolfgang Ischinger.
Përveç Rubio-s, pritet të marrin pjesë më shumë se 50 anëtarë të Kongresit amerikan, si dhe guvernatorët e Miçiganit dhe Kalifornisë.
“Aktualisht, marrëdhëniet transatlantike janë, sipas mendimit tim, në një krizë të konsiderueshme besimi dhe kredibiliteti,” tha Ischinger gjatë një konference për media në Berlin. “Prandaj është veçanërisht inkurajuese që pala amerikane po tregon një interes kaq të madh për Mynihun.”
Kur u pyet se si do të trajtojë ndonjë sulm të ngjashëm nga Rubio, pas akuzave të vitit të kaluar nga zëvendëspresidenti JD Vance ndaj liderëve evropianë për kufizimin e lirisë së shprehjes dhe moskontrollimin e emigracionit, Ischinger u shpreh se pret që Rubio të fokusohet tek politika e jashtme amerikane.
“Sapo të provohet e kundërta, unë pres që Sekretari amerikan i Shtetit të flasë për politikën e jashtme të SHBA-së, jo për çështje që nuk ndikojnë drejtpërdrejt në departamentin e tij,” shtoi ai./mxh
