Një diagnozë e rrallë limfome bëri që Giorgi Gagoshidze të braktiste një projekt filmi mbi faktorët ekonomikë pas rënies së BRSS-së – derisa ai gjeti kuptim të ri në terminologjinë mjekësore.
Nga Philip Oltermann
Në vjeshtën e vitit 2022, Giorgi Gagoshidze ishte në mes të realizimit të një dokumentari mbi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik kur përjetoi kolapsin e vet personal të sistemit. Pasi u kthye nga xhirimet në Tbilisi në Berlin, ku jeton artisti gjeorgjian 42-vjeçar, ai vuante nga mungesa e frymëmarrjes. Një radiografi tregoi se të dy mushkëritë i ishin mbushur me ujë. Iu tha të merrte menjëherë një taksi drejt spitalit Charité të kryeqytetit gjerman, nëse donte të jetonte.
Gagoshidze u diagnostikua me limfomë të qelizave T, një formë e rrallë, agresive dhe me rritje të shpejtë e kancerit të gjakut, në një fazë të avancuar por të shërueshme. Një koktej brutal kimioterapie, i ndjekur nga një qëndrim tetëmujor në spital në izolim, ishte shansi i tij i vetëm për mbijetesë.
“Gjithçka u shemb,” kujton ai. “Dhe bota e artit është shumë e pamëshirshme. Mund të të përpijë më shpejt se kanceri.”
Megjithatë, këtë javë, mezi tre vjet pas diagnozës, dokumentari i Gagoshidzes, Graft Versus Host, do të ketë premierën në festivalin e filmit në Berlin. Edhe pse zgjat vetëm 31 minuta, ai është i mbushur me ide, duke ndërthurur pamje arkivore, reflektime personale dhe grafikë kompjuterike të realizuara vetë, në një stil që të kujton dokumentaristin anglez Adam Curtis apo eseisten gjermane të videos Hito Steyerl, nën drejtimin e së cilës Gagoshidze studioi në Universitetin e Arteve në Berlin.
Vizualisht kaotik, vizioni i tij historik është çuditërisht i qartë. Sepse, ndërsa kanceri e immobilizoi fizikisht, diagnoza i hapi mendjen për të kuptuar ngjarjet në bllokun lindor gjatë jetës së tij në mënyra të reja. “Plani im i trajtimit pasqyronte me saktësi rënien sovjetike dhe planin e tranzicionit pas saj,” thotë ai.
Në qytetin e tij të adoptuar, Berlin, riintegrimi ekonomik pas vitit 1989 i dy Gjermanive shpesh përshkruhet si një aneksim i lindjes socialiste nga perëndimi kapitalist – titulli i një libri të njohur mbi këtë temë është Marrja nën kontroll. Por nga Gjeorgjia, kalimi nga një sistem në tjetrin duket më kompleks.
Në vitin 1973, sekretari i parë i Partisë Komuniste gjeorgjiane, Eduard Shevardnadze, nisi një eksperiment ekonomik në fshatin perëndimor Abasha, ku fermerëve iu lejua të mbanin një pjesë të prodhimit të tepërt ose ta shisnin për fitim personal.
“Ndërsa ekonomia po binte, Partia Komuniste kërkonte mënyra për të stimuluar fuqinë punëtore dhe vendosi të fuste një formë të kufizuar pronësie,” thotë Gagoshidze.
Eksperimenti i Abashës pati sukses: prodhimi bujqësor i fshatit u rrit ndjeshëm dhe zgjidhi mungesat ushqimore, duke nxitur reforma administrative në mbarë Gjeorgjinë dhe duke forcuar imazhin reformator të Shevardnadzes, më vonë ministër i jashtëm nën Mikhail Gorbaçovin.
Kur Gagoshidze zhvilloi intervista për Abashën në Gjeorgji, zbuloi se jo vetëm zyrtarët, por edhe të afërmit e tij ishin ende plot nostalgji për statusin e dikurshëm të vendit si pararojë ekonomike e bllokut lindor.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, ai thotë se “Abasha hapi rrugën për rënien e Bashkimit Sovjetik”, duke krijuar një brez të ri ndërmarrjesh të paligjshme me akses në objektet shtetërore. Të njohur si tsekhovikë, këta sipërmarrës nëntokësorë ndërtuan një sistem ekonomik hije të bazuar në korrupsion. Kjo bëri që, kur sistemi sovjetik u shemb, ai të mos reformohej hap pas hapi, por të kalonte drejtpërdrejt në një variant të përshpejtuar të kapitalizmit.
“Kur Bashkimi Sovjetik u shemb, gjithçka u shemb,” kujton ai. “Mbaj mend një ditë kur nëna më çoi në supermarket dhe të gjitha gjërat bazë ishin aty. Herën tjetër që më çoi, ajo duhej t’u lutej punonjësve për çfarëdo gjëje të ngrënshme, sepse raftet ishin bosh. Pastaj u kthyem në shtëpi dhe nuk kishte gaz, as ujë të ngrohtë, asgjë.”
Në Graft Versus Host, Gagoshidze e krahason këtë moment me rrjedhën e radioterapisë së tij. “Futja e një sistemi të ri imunitar në një organizëm është e mundur vetëm kur qelizat kancerogjene janë shtypur me sukses,” thotë ai, “ashtu si tranzicioni kërkonte privatizim të plotë për funksionimin e sistemit të ri ekonomik të propozuar.”
Trajtimi i tij erdhi në tre hapa, dhe zhdukja e qelizave kancerogjene ishte pjesa më e lehtë. Procedura më sfiduese ishte futja e një sistemi të ri imunitar – përmes transplantit të palcës së kockës – dhe përshtatja e trupit me të.
Gagoshidze e mori transplantin nga babai i tij, çka nënkuptonte se përputhja e indeve ishte vetëm gjysmake dhe çoi në sëmundjen që i jep filmit emrin: sëmundja graft-kundër-mikpritësit (GvHD), kur sistemi i ri imunitar i transplantuar nis të luftojë trupin që e ka marrë.
“Është si një luftë civile e përhershme në trup,” thotë ai. Ilaçet ishin thelbësore për të ndalur luftën. “Roli i ilaçeve ishte ta mbanin të trullosur sistemin tim të ri imunitar që të mos më vriste. Por vendet postsovjetike nuk kishin ilaçe për të ndalur sistemin të luftonte me veten: ne patëm një transplant sistemi imunitar pa asnjë formë rregullimi.”
Më shumë se tri dekada më pas, vendi mbetet i ngecur në fazën e përshtatjes. “Sot fermerët gjeorgjianë janë të lirë të mbajnë të gjitha fitimet e tyre, por nuk kanë më teknologjinë dhe pajisjet që u siguronte shteti dhe duhet të gjejnë tregje të reja jashtë Gjeorgjisë.”
Vendi u shkëput nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991 dhe mori statusin kandidat për BE në vitin 2023, por procesi u ndal praktikisht një vit më vonë për shkak të regresit të rëndë demokratik. Reformatorët e dikurshëm model janë në fund të radhës. “Është një cikël që nuk mbaron kurrë, një gjendje e përhershme përpjekjeje për të arritur, por pa mbërritur kurrë,” thotë Gagoshidze. “Është një rreth vicioz.”
Situata e tij personale duket më shpresëdhënëse, të paktën. Sëmundja graft-kundër-mikpritësit ishte relativisht e lehtë dhe mjekët i thonë se, nëse shëndeti mbetet i qëndrueshëm deri në vjeshtë, mund ta konsiderojë veten të shëruar. “Mjekët janë të kënaqur, dhe nëse ata janë të kënaqur, jam edhe unë.”
Përgatiti për botim: L.Veizi
