Last Updated on 18/02/2026 by Anisa
Shkencëtari, i cili vdiq vitin e kaluar, shfaqet duke pozuar për foto në rezidencën e pedofilit në Nju Jork.
Një shkencëtar fitues i Çmimit Nobel, i cili zbuloi strukturën e ADN-së, ka pozuar me gra në rezidencën e Jeffrey Epstein në Nju Jork, zbulojnë fotografi të reja.
Imazhet e zbuluara nga The Telegraph tregojnë James Watson, i cili vdiq në nëntor në moshën 97-vjeçare, duke buzëqeshur pranë tre grave të reja në një sallon pritjeje madhështor në shtëpinë e pedofilit në Manhattan.
Nuk është e qartë se kur janë bërë fotografitë, megjithëse duket se i përkasin mesit ose fundit të viteve 2010, disa vite pasi Epstein ishte liruar nga burgu për një vepër penale seksuale ndaj një të mituri.
Email-et e publikuara më parë nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA kishin lënë të kuptohej për një miqësi mes Epstein dhe Watson, por fotografitë e vendosin për herë të parë shkencëtarin amerikan kontrovers në një nga shtëpitë e pedofilit. Ato theksojnë shkallën në të cilën Epstein e kishte afruar Watson në rrethin e tij të brendshëm, me sa duket duke ndarë një interes të errët për gjenetikën.

Watson njihet për identifikimin e strukturës së dyfishtë spirale (double helix) të ADN-së në vitin 1953, së bashku me kolegun e tij britanik Francis Crick. Zbulimi i’u dha atyre Çmimin Nobel për Mjekësi në vitin 1962.
Megjithatë, dekada më vonë ai u përfshi në polemika për komentet e tij mbi racën dhe gjenetikën, duke çuar në përjashtimin e tij nga komuniteti shkencor në fund të viteve 2000.
Në një intervistë të vitit 2007, Watson tha se ishte “thelbësisht pesimist për perspektivën e Afrikës” sepse “të gjitha politikat tona sociale bazohen në faktin se inteligjenca e tyre është e njëjtë me tonën, ndërsa të gjitha testet tregojnë të kundërtën”.
Ai kërkoi falje për këto deklarata dhe anuloi një turne promovues libri në Mbretërinë e Bashkuar menjëherë më pas, por në vitin 2019 iu hoqën titujt honorifikë shkencorë, pasi i përsëriti komentet në një dokumentar.
Epstein duket se mbështeste pikëpamjet e Watson. Në një shkëmbim email-esh të vitit 2016 me Noam Chomsky, një akademik amerikan, financieri pretendonte pa baza se “hendeku i rezultateve të testimit mes afrikano-amerikanëve është i dokumentuar mirë”. Në email ai shtonte: “James Watson, disa nga pikëpamjet e tij private u bënë publike dhe për këtë arsye u përjashtua nga shoqëria. Ai më tha se pas një fjalie u përjashtua. Përmirësimi i gjërave mund të kërkojë pranimin e disa fakteve të pakëndshme”.
Financieri miliarder mendohet se kishte një magjepsje jo të drejtë me eugjenikën, idenë se raca njerëzore mund të përmirësohej përmes përzgjedhjes së kontrolluar të riprodhimit.
Një bisedë me email me Joscha Bach, një shkencëtar gjerman dhe figurë me ndikim në fushën e inteligjencës artificiale, sugjeron se Epstein ishte i interesuar për modifikimin gjenetik të personave me ngjyrë për t’i bërë “më të zgjuar”. Në një mesazh të korrikut 2016, Bach shkruante: “Nëse e kuptoj saktë, ju po sugjeroni […] se mund të bëni personat me ngjyrë më të zgjuar duke ndryshuar kohën e zhvillimit të shtresës motorike”.
Bach është distancuar nga këto pikëpamje. Në një deklaratë në nëntor ai tha se vazhdoi të kishte kontakt me Epstein pas lirimit të tij nga burgu, sepse akademikë shumë të respektuar e rekomandonin si burim financimi për kërkime.
Epstein gjithashtu duket se kishte diskutuar një skemë për të “mbjellë” racën njerëzore me ADN-në e tij duke lënë shtatzënë gra në fermën e tij të madhe në Nju Meksiko. Ai i modeloi planet sipas Repository for Germinal Choice, një bankë sperme e themeluar në Kaliforni në vitin 1980.
Themeluesit shpresonin që banka të furnizohej me fitues të Çmimit Nobel për të përmirësuar fondin gjenetik njerëzor, por vetëm një laureat kontribuoi përpara se objekti të mbyllej në vitin 1999.
Sipas një hetimi të Neë York Times në vitin 2019, Epstein diskutonte shpesh plane për ta zbatuar këtë ide me shkencëtarë të njohur, megjithëse nuk ka prova që ajo u realizua ndonjëherë.
Nuk ka asnjë sugjerim për keqbërje nga ana e Watson në shtëpinë e Epstein në Nju Jork. Megjithatë, fotografitë e zbuluara nga The Telegraph nxjerrin në pah përpjekjet e Epstein për të kultivuar marrëdhënie të ngushta me figura udhëheqëse në fusha si shkenca, biznesi dhe politika.
Publikime të mëparshme të dosjeve të Epstein kanë përmendur edhe shkencëtarë të tjerë të njohur në rrethin e tij, përfshirë Prof. Stephen Haëking dhe Larry Summers, ish-president i Harvardit.
Epstein, i cili vdiq në një qeli burgu në Nju Jork në vitin 2019 ndërsa përballej me akuza për trafikim seksual, shkëmbeu dhjetëra email-e për Watson me bashkëpunëtorët e tij. Në një rast, email-et tregojnë se Epstein u kërkonte miqve të përgatisnin pyetje për Watson mbi gjenetikën para takimeve. Ai gjithashtu bleu autobiografinë e Watson të vitit 2002, “Genes, Girls, and Gamow: After the Double Helix”, në vitin 2014./fjala.al-A.D
