Nga Leonard Veizi
Aktualisht, kur shkenca po përparon me shpejtësi marramendëse, gjithnjë e më shumë pyetje të vjetra po marrin përgjigje të reja. Dhe ndoshta asnjë pyetje nuk është më e madhe se ajo që lidhet me fundin tonë: Çfarë ndodh pas vdekjes?
Nëse deri dje kjo ishte një çështje fetare ose filozofike, sot në laboratorët e fizikës kuantike po ngrihen teori që e vendosin jetën dhe vetëdijen në qendër të universit. Një prej tyre, biocentrizmi, po trazon mënyrën si e kuptojmë ekzistencën vetë.
Universi që lind nga jeta
Teoria e biocentrizmit është propozuar nga shkencëtari amerikan Robert Lanza. Në vitin 2007, artikulli i Lanzës “Një Teori e Re e Universit” u shfaq në The American Scholar. Eseja propozonte idenë e Lanzës për një univers biocentrik, i cili e vendos biologjinë mbi shkencat e tjera. Libri i Lanzës “Biocentrizmi: Si jeta dhe vetëdija janë çelësat për të kuptuar Universin” u botua në vitin 2009, i shkruar së bashku me Bob Berman.
Robert Lanza beson se universi nuk është një strukturë e ftohtë dhe pa kuptim që rastësisht solli jetën, por pikërisht jeta dhe ndërgjegjja janë ato që e krijuan universin. Me fjalë të tjera, ne nuk jemi produkti i një kozmosi të verbër – kozmosi ekziston sepse ne e perceptojmë atë. Në zemër të kësaj teorie qëndron një koncept nga fizika kuantike: roli i vëzhguesit. Eksperimentet kanë treguar se grimcat subatomike sillen ndryshe kur ato vëzhgohen. Derisa të ketë një vëzhgues, ato ekzistojnë në një gjendje të paqëndrueshme, të quajtur “superpozicion”. Vetë akti i vëzhgimit – pra i ndërgjegjes – i detyron ato të zgjedhin një formë, një vend, një realitet. Në këtë kuptim, pa vetëdije nuk ka realitet. Dhe nëse realiteti është pasojë e vetëdijes, atëherë çfarë ndodh me të kur trupi pushon së funksionuari?
Vdekja si kalim, jo si fund
Sipas biocentrizmit, vdekja është një iluzion, një ndryshim në mënyrën se si ndërgjegjja jonë përjeton realitetin. Nëse vetë ndërgjegjja është ajo që krijon universin, ajo nuk mund të “vdesë” thjesht sepse ndalon trupi. Lanza përdor një krahasim të thjeshtë: sikur një valë që godet bregun – energjia e saj nuk zhduket, por vetëm ndryshon formë. Po kështu, ndërgjegjja nuk shuhet, por kalon në një tjetër dimension të realitetit, ndoshta në një univers paralel, sipas teorisë “Many Worlds” apo thënë në shqip Teoria e Shumëbotëve, ku çdo mundësi e jetës sonë vazhdon të ekzistojë diku tjetër. Në këtë këndvështrim, “fundi” është vetëm një kalim. Ashtu si drita që ndalon të duket, por jo të ekzistojë.
Koha dhe hapësira si iluzione
Një tjetër element tronditës i biocentrizmit është ideja se koha dhe hapësira nuk janë absolute.
Sipas Lanzer, ato janë vetëm mënyra se si mendja jonë organizon përvojën. Në nivel kuantik, nuk ekziston një “para” apo “pas”, por një rrjedhë e pandërprerë energjie ku çdo ngjarje është e mundur.
Kjo nënkupton se ndoshta e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja bashkëjetojnë – dhe vdekja nuk është gjë tjetër veçse një pikë në këtë rreth të pafund.
Shkenca përballë metafizikës
Sigurisht, këto ide nuk kanë mbetur pa kundërshtime. Shumë fizikantë e quajnë biocentrizmin një teori poetike, por jo shkencore. Ata theksojnë se për të provuar një teori duhen eksperimente, dhe deri tani askush nuk ka mundur të masë “jetën pas vdekjes” apo ndërgjegjen që mbijeton. Por pavarësisht skepticizmit, teoria e Lanzer ka zgjuar një interes të jashtëzakonshëm sepse ajo prek një pikë që edhe shkenca më e ftohtë nuk mund ta anashkalojë: pse ekziston vetëdija dhe nga vjen ajo?
Nga revista “Time” është emëruar si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë.
Ndoshta nuk është rastësi që shumë studiues të tjerë – nga neuroshkencëtarë te filozofët – po përpiqen të kuptojnë ndërgjegjen si një forcë të re të natyrës, krahas gravitetit apo elektromagnetizmit.
Një univers që jeton në ne
Në fund të fundit, biocentrizmi nuk kërkon të rrëzojë fenë apo shkencën, por të bashkojë dy botë që për shekuj janë parë si të ndara. Nëse jeta dhe vetëdija janë baza e gjithçkaje, atëherë çdo qenie, çdo atom, çdo mendim është pjesë e një ndërthurjeje të përjetshme. Në vend që të pyesim “çfarë ndodh kur vdesim?”, ndoshta duhet të pyesim: “çfarë ndodh me realitetin kur ne nuk jemi më këtu për ta vëzhguar?” Ndoshta përgjigjja gjendet në një thënie të vetë Lanzer: “Ne nuk jetojmë në univers – universi jeton në ne.” Një ide që na kujton se ndoshta jeta është më shumë se një udhëtim nga lindja në vdekje. Ndoshta jeta është vetë përjetësia që kërkon të vetëdijesohet për ekzistencën e saj.

