Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi këtë të martë se vendi i tij “nuk po kërkon në asnjë mënyrë armë bërthamore”, duke shprehur shpresën që komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, ta njohin këtë fakt.
Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta, ndërsa në Gjenevë kanë nisur bisedime indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit për çështjen bërthamore, paralelisht me një shtim të pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se çdo përpjekje e Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar qeverinë iraniane është e destinuar të dështojë. Deklarata e tij erdhi pasi Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se “ndryshimi i regjimit” në Teheran mund të jetë zgjidhja më e mirë.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, bëri të ditur se gjatë raundit të dytë të bisedimeve indirekte është arritur një mirëkuptim mbi “parimet udhëzuese kryesore” të negociatave. Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk do të thotë se një marrëveshje është pranë. Sipas tij, pas shkëmbimit të dokumenteve, palët do të vendosin për datën e një raundi të tretë bisedimesh.
Irani ka mohuar prej kohësh se synon të pajiset me armë bërthamore, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë perëndimore kanë shprehur vazhdimisht shqetësim mbi programin bërthamor të Teheranit.
Zhvillimet e fundit tregojnë një përpjekje të re diplomatike për të zgjidhur një nga mosmarrëveshjet më të gjata dhe më të ndërlikuara në arenën ndërkombëtare./mxh
