Selia qendrore në Paris e partisë franceze të majtë radikale “La France Insoumise” u evakuua këtë të mërkurë pas një kërcënimi për bombë, i cili u raportua në polici.
Sipas koordinatorit kombëtar të partisë, Manuel Bompard, forcat e rendit vendosën një perimetër sigurie rreth godinës për disa orë, përpara se ta hiqnin kordonin rreth mesditës, pasi verifikimet përfunduan.
Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar politike në Francë, pas vdekjes së një aktivisti të ekstremit të djathtë në qytetin e Lionit javën e kaluar. 23-vjeçari Quentin Deranque humbi jetën dy ditë pasi u dhunua jashtë një konference ku merrte pjesë eurodeputetja e LFI-së, Rima Hassan.
Autoritetet kanë arrestuar 11 persona të dyshuar për përfshirje në rrahjen që çoi në vdekjen e të riut, mes tyre edhe një ndihmës i një deputeti të LFI-së. Hassan dhe drejtues të tjerë të partisë kanë dënuar publikisht dhunën.
Manuel Bompard deklaroi se pas ngjarjes në Lion, partia e tij është bërë objekt i “akuzave të rreme dhe shpifëse”, që sipas tij kanë pasur pasoja konkrete, duke përfshirë edhe kërcënimin e fundit me bombë.
Ai u bëri thirrje kundërshtarëve politikë dhe mediave që të ndalin, sipas tij, “shfrytëzimin e turpshëm të tragjedisë”, duke theksuar se LFI nuk mban asnjë përgjegjësi për ngjarjen e ndodhur në Lion.
Policia franceze vijon hetimet si për kërcënimin me bombë në Paris, ashtu edhe për vdekjen e aktivistit në Lion, në një moment kur tensionet politike në vend mbeten të larta./mxh
