Polonia do të jetë në gjendje të vendosë mina kundër personelit përgjatë kufirit të saj lindor brenda 48 orësh në rast se shfaqet një kërcënim, deklaroi kryeministri Donald Tusk të enjten, pak para se të hyjë në fuqi tërheqja zyrtare nga Ottawa Convention.
Sipas Tusk, autoritetet polake po finalizojnë projektin ushtarak për minat, të cilin ai e cilësoi si thelbësor për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e territorit dhe kufijve të vendit. Vendimi vjen në një kohë kur shumica e fqinjëve evropianë të Rusisë – me përjashtim të Norvegjisë, po lëvizin drejt daljes nga traktati që ndalon prodhimin dhe përdorimin e minave kundër personelit.
Polonia synon t’i përdorë këto mina në kuadër të projektit “East Shield”, një iniciativë për forcimin e mbrojtjes përgjatë kufirit me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit.
Në dhjetor, zëvendësministri i Mbrojtjes, Pawel Zalewski, deklaroi për Reuters se Varshava do të rifillojë prodhimin e minave kundër personelit për herë të parë që nga periudha e Luftës së Ftohtë. Sipas tij, minat do të vendosen në kufirin lindor dhe ekziston mundësia që ato të eksportohen edhe në Ukrainë.
Procesi i tërheqjes së Polonisë nga Konventa e Otavës nisi në muajin gusht dhe përfundon pas një periudhe gjashtëmujore, më 20 shkurt 2026, kur vendi do të dalë zyrtarisht nga traktati ndërkombëtar./mxh
