Ish-princi britanik Prince Andrew është arrestuar këtë të enjte (19 shkurt) nën dyshimet për “shpërdorim detyre në funksion publik”, sipas raportimeve të mediave britanike, duke shkaktuar reagime të shumta në Londër.
Policia e Thames Valley Police konfirmoi se një burrë në të 60-at është ndaluar me dyshimin për shkelje në detyrë, por pa e bërë publik emrin, në përputhje me udhëzimet kombëtare. Më herët, BBC raportoi se i arrestuari është Andrew Mountbatten-Windsor, 66 vjeç.
Arrestimi vjen në ditëlindjen e tij të 66-të dhe lidhet me hetimet për marrëdhëniet e tij me financierin amerikan të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, një çështje që prej vitesh ka njollosur imazhin e familjes mbretërore britanike.
Në reagimet e para nga qytetarët londinezë, mendimet ishin të ndara, por shumë prej tyre e konsideruan arrestimin si të vonuar. Një mjek i sistemit shëndetësor publik tha se, pavarësisht zhvillimeve, ai dyshon se do të ketë pasoja reale, duke shtuar se “nëse meriton burgim të përjetshëm, atëherë le të jetë i përjetshëm”.
Ndërsa Floyd Stevenson, pjesëmarrës në Javën e Modës në Londër dhe mbështetës i deklaruar i monarkisë, e quajti lajmin “pikën e fundit” për familjen mbretërore, edhe pse theksoi se vazhdon të jetë mbështetës i saj.
Një turist 82-vjeçar u shpreh se presioni i opinionit publik dhe i medias mund të ketë ndikuar në arrestim, por shtoi se mbetet për t’u parë nëse çështja do të çojë në ndëshkim real.
Prince Andrew, vëllai më i vogël i Mbretit Charles III, është përballur prej kohësh me kritika të forta publike për lidhjet e tij me Epstein. Në vitet e fundit ai është tërhequr nga detyrat mbretërore dhe i janë hequr titujt ushtarakë dhe patronazhet mbretërore.
Hetimet pritet të vijojnë, ndërsa opinioni publik në Britani mbetet i përqendruar te zhvillimet e mëtejshme të kësaj çështjeje me ndjeshmëri të lartë politike dhe institucionale./mxh
