Last Updated on 19/02/2026 by EL
Gjykata Administrative Rajonale e Lacios ka lënë në fuqi masën ndëshkuese ndaj tre klubeve të Serisë A, Romës, Napolit dhe Fiorentinës, duke konfirmuar ndalimin e pranisë së tifozëve të tyre në ndeshjet jashtë fushe deri në përfundim të sezonit.
Kërkesa e paraqitur nga klubet për shfuqizimin e masës nuk është pranuar nga gjykata, duke e bërë vendimin përfundimtar në këtë fazë.
Sipas autoriteteve, masa ndëshkuese erdhi si pasojë e incidenteve të ndodhura më 18 dhe 25 janar të këtij viti.
Në rastin e parë, një grup tifozësh të Fiorentinës, të cilët po udhëtonin drejt Bolonjës për ndeshjen në transfertë, u përfshinë në përplasje me tifozë të Romës që ishin nisur për në Torino. Përplasja mes dy grupeve solli ndërhyrjen e forcave të rendit.
Vetëm një javë më vonë, u regjistruan incidente të tjera, këtë herë mes tifozëve të Napolit dhe atyre të Lacios. Sipas raportimeve, mbështetësit napolitanë po udhëtonin drejt Torinos, ndërsa tifozët e Lacios po ktheheshin nga transferta në Leçe, kur ndodhi përplasja.
Vendimi përbën një goditje të ndjeshme për tre klube me peshë në elitën e futbollit italian. Deri në fund të sezonit, ata do të duhet të luajnë ndeshjet si mysafirë pa praninë e tifozëve të tyre në stadiume.
Autoritetet e kanë konsideruar masën si të nevojshme për garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e incidenteve të ngjashme në të ardhmen. Nuk ka ende informacion nëse klubet do të ndjekin rrugë të tjera ligjore për ta kundërshtuar vendimin./et
