Last Updated on 20/02/2026 by Anisa
Andrew Mountbatten-Windsor doli nga Stacioni i Policisë Aylsham të enjten pas qëndrimit prej gati 11 orësh në paraburgim.
Policia e Thames Valley (TVP) konfirmoi se ish-princi u lirua nën hetim, që do të thotë se nuk është akuzuar ose shpallur i pafajshëm. Hetimi formal lidhet me pretendime për keqpërdorim të detyrës publike.
Arrestimi i ndodhi në ditëlindjen e tij të 66-të dhe lidhet me dokumente të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ) nën Ligjin për Transparencën e Dosjeve Epstein. Këto dokumente përmbajnë email-e që sugjerojnë se Mountbatten-Windsor kishte dërguar raporte të fshehta tregtare tek i dënuari seksual Jeffrey Epstein, gjatë kohës kur shërbente si përfaqësues special tregtar i Mbretërisë së Bashkuar midis viteve 2010 dhe 2011.

Si pjesë e hetimit, oficerët e TVP kontrolluan edhe prona në Norfolk dhe Berkshire.
Mbretër Charles III, në një deklaratë nga Pallati Buckingham, tha se kishte mësuar për arrestimin e vëllait të tij me “shqetësim të thellë” dhe premtoi bashkëpunimin e plotë të familjes mbretërore me hetuesit. Mbreti më parë i kishte hequr titujt mbretërorë Mountbatten-Windsor dhe e kishte dëbuar nga banesa e tij.
Biografi mbretëror Christopher Wilson tha për DW se vendimi për arrestimin nuk do të kishte ndodhur pa një bazë të fortë. “Policia, dhe veçanërisht politikanët pas tyre, nuk do të lejonin një ndërhyrje të tillë dhe një arrestim të ndodhte nëse nuk janë të bindur që kanë një rast të fortë,” tha Wilson. Ai shtoi se ish-princi ka shumë mundësi të përballet me gjykatën penale dhe nuk pritet të largohet nga vendi.
Wilson gjithashtu theksoi rëndësinë historike të arrestimit, pasi kjo është hera e parë në rreth 600 vjet që një anëtar i familjes mbretërore britanike është marrë në paraburgim nga policia. Nëse më vonë akuzohet dhe shpallet fajtor për keqpërdorim të detyrës publike, ai mund të përballet me burgim të përjetshëm sipas ligjit britanik.
Mountbatten-Windsor ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje lidhur me Epstein. Ai nuk ka dhënë asnjë koment publik pas lirimit të tij./fjala.al-A.D
