Last Updated on 20/02/2026 by Anisa
Një artikull i publikuar nga The Guardian hedh dritë mbi përbërjen e “Bordit të Paqes”, një strukturë e re e iniciuar nga Donald Trump, që sipas kritikëve po shihet si një platformë alternative vendimmarrjeje globale jashtë mekanizmave tradicionalë shumëpalësh.
Sipas raportimit, një grup liderësh botërorë , shumë prej tyre të lidhur me regjime autoritare ose me rekorde problematike në fushën e të drejtave të njeriut kanë udhëtuar drejt Uashingtonit për mbledhjen inauguruese të këtij bordi. Fillimisht i konceptuar për të zbatuar vizionin e Trump për të ardhmen e Gazës pas shkatërrimit të saj nga Izraeli, organi është zgjeruar me shpejtësi në ambicie dhe rol, duke u cilësuar nga vetë Trump si “organi më pasues ndërkombëtar në histori”.
Fuqitë globale, përfshirë aleatë tradicionalë të SHBA-së, kanë shprehur shqetësime se kjo strukturë synon të anashkalojë mekanizmat e Kombeve të Bashkuara dhe të krijojë një “klub anëtarësh me pagesë”, ku vendimmarrja orientohet nga vullneti i një qendre të vetme politike.
Në mesin e vendeve themeluese përmendet edhe Shqipëria, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Sipas artikullit, Shqipëria është një nga anëtaret themeluese të Bordit të Paqes. Megjithatë, Rama deklaroi se vendi nuk do të bëhet anëtar i përhershëm i këtij organi një status që, sipas raportimeve, shoqërohet me një tarifë prej 1 miliard dollarësh.
Kjo lëvizje është interpretuar si një përpjekje për të ruajtur një balancë diplomatike, pjesëmarrje në një iniciativë të mbështetur nga Uashingtoni, por pa marrë përsipër angazhime afatgjata që mund të krijojnë tension me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, veçanërisht në Bashkimin Europian.
Artikulli i referohet vlerësimit të organizatës monitoruese të demokracisë Freedom House, sipas së cilës Shqipëria ka një rezultat prej 68/100 në indeksin “Freedom in the World”, duke u klasifikuar si “Pjesërisht e Lirë”.
Rezultati në indeksin “Freedom in the World”: 68/100 – “Pjesërisht e Lirë”
Shqipëria, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ishte një nga anëtaret themeluese të Bordit të Paqes. Rama deklaroi këtë javë se vendi nuk do të bëhet anëtar i përhershëm – një status që shoqërohet me një tarifë prej 1 miliard dollarësh.
Sipas Freedom House, Shqipëria konsiderohet “pjesërisht e lirë”. Organizata vlerëson se vendi ka një histori zgjedhjesh konkurruese, por thekson se korrupsioni dhe ryshfeti mbeten probleme madhore, megjithëse qeveria ka ndërmarrë hapa për të reformuar sistemin gjyqësor.
Takimi i parë në Uashington pritet të tregojë jo vetëm nivelin e angazhimit të vendeve pjesëmarrëse, por edhe nëse ky Bord i Paqes do të shndërrohet në një forum me ndikim real apo do të mbetet një projekt politik i diskutueshëm.
Për Edi Ramën, pjesëmarrja në këtë iniciativë përfaqëson një moment delikat diplomatik: mes ruajtjes së marrëdhënieve strategjike me SHBA-në dhe përkushtimit formal ndaj standardeve demokratike të Bashkimit Europian. Në një kontekst ku legjitimiteti i bordit vihet në pikëpyetje, çdo hap i Tiranës do të analizohet me kujdes brenda dhe jashtë vendit./ fjala.al/A.D
