Vizita e Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në Uashington është shoqëruar me protesta dhe përplasje mes demonstruesve dhe anëtarëve të sigurisë së delegacionit azerbajxhanas.
Sipas dëshmive të publikuara nga persona të pranishëm në vendngjarje dhe pamjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale, incidenti ka ndodhur në zonën e Pennsylvania Avenue, ku një grup protestuesish ishte mbledhur për të kundërshtuar vizitën e presidentit.
Pamjet treguan momente tensioni dhe përplasje fizike, ndërsa pretendohet se pjesëtarë të sigurisë së Aliyev janë perleshur me disa prej protestuesve.
Presidenti Aliyev ndodhej në Uashington për të marrë pjesë në takimin e parë zyrtar të “Bordit të Paqes”.
Ngjarja është krahasuar nga disa media me incidentin e majit 2017, në Uashington, kur anëtarë të sigurisë së Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan u përfshinë në përplasje me protestues jashtë Ambasadës Turke, një episod që atëherë shkaktoi reagim të fortë politik në Kongresin amerikan./mxh
