Irani po përgatitet për mundësinë e një përshkallëzimi të ri ushtarak me Shtetet e Bashkuara, ndërsa autoritetet kanë nisur të informojnë qytetarët për masat që duhet të marrin në rast të një emergjence me pasoja bërthamore. Në Teheran po shpërndahen tableta jodi dhe udhëzime për mbijetesë, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të veprimeve ushtarake kundër Iranit.
Sipas një raportimi të gazetares Fatemeh Jamalpour për gazetën britanike “The Times”, përgatitjet lidhen me shqetësimet për pasojat që mund të sillte një sulm i ri, veçanërisht nëse objektivat do të përfshinin instalime të ndjeshme bërthamore.
Në qendër të vëmendjes është edhe objekti i madh nëntokësor i njohur si “Pickaxe Mountain” pranë kompleksit bërthamor të Natanzit. Qëllimi i saktë i këtij objekti nuk është bërë publik, ndërsa mungesa e informacionit mbi aktivitetet që zhvillohen brenda tij ka shtuar shqetësimet e ndërkombëtarëve.
Pamjet satelitore tregojnë se Irani ka ndërtuar hyrje tunelesh të fortifikuara dhe ka vijuar punimet nëntokësore në këtë zonë. Sipas ekspertëve të cituar nga The Times, disa pjesë të objektit mund të ndodhen 80 deri në 100 metra nën sipërfaqe, duke e bërë të vështirë goditjen e tyre edhe me bomba të fuqishme depërtuese.
Megjithatë, inspektorët ndërkombëtarë nuk kanë hyrë në objekt dhe nuk ka konfirmim nëse aty ruhen materiale bërthamore apo pajisje për pasurimin e uraniumit.
Një zyrtar iranian i shëndetësisë i tha gazetës britanike se tabletat e jodit po shpërndahen në zonat pranë instalimeve bërthamore, zakonisht brenda një rrezeje prej dy deri në tre kilometrash. Ndërkohë, udhëzimet e mbrojtjes civile u kërkojnë qytetarëve të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të ndjekin njoftimet zyrtare në rast emergjence.
Shpërndarja e tabletave të jodit dhe udhëzimeve të emergjencës nuk përbën në vetvete provë se një sulm është i afërt, por tregon nivelin e shqetësimit për pasojat e mundshme të një konflikti të ri.
Tensionet janë shtuar pas paralajmërimeve të Trumpit për mundësinë e goditjes së objektit nëntokësor pranë Natanzit. Në të njëjtën kohë, kontaktet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë përmes ndërmjetësimit të Katarit, por mbetet e paqartë nëse ato do të arrijnë të shmangin një përshkallëzim të mëtejshëm./ad
