Ish-truproja e Princit Andrew ka hedhur akuza të forta, duke pretenduar se Scotland Yard është përpjekur ta pengojë të flasë pasi ai u shpreh publikisht për vizitorë të dyshimtë që frekuentonin rezidencat mbretërore.
Paul Page, i cili ka shërbyer në sigurinë e Familjes Mbretërore britanike nga viti 1998 deri në 2004, thotë se në dhjetor të vitit të kaluar ka marrë një letër nga policia londineze me logon e njësisë kundër terrorizmit. Sipas tij, mesazhi i nënkuptuar ishte i qartë: të mbyllte gojën dhe të respektonte detyrimet e konfidencialitetit dhe privatësisë, shkruan La Repubblica.
Page pretendon se gjatë viteve të shërbimit të tij ka pasur një lëvizje të vazhdueshme vajzash të panjohura që vizitonin Princin Andrew, madje edhe në Buckingham Palace. Ai thotë se në disa raste protokollet e sigurisë janë shkelur, pasi agjentëve u kërkohej të mos regjistronin emrat e vizitoreve dhe të mos bënin pyetje për identitetin e tyre. Sipas tij, disa prej tyre madje dërgoheshin të shërbenin si shoferë për këto mysafire. Ai shton se e vetmja që regjistrohej rregullisht ishte Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e dënuar e Jeffrey Epstein.
Scotland Yard ka mohuar çdo përpjekje për mbulim, duke sqaruar se letra dërguar Page ishte thjesht një kujtesë formale për mënyrën e komunikimit publik dhe jo një tentativë për ta penguar të dëshmonte. Autoritetet kanë vënë gjithashtu në pikëpyetje besueshmërinë e tij, duke theksuar se ai është dënuar më parë me gjashtë vite burg për organizimin e një rrjeti bastesh të paligjshme brenda ambienteve të Buckingham Palace.
Ndërkohë, policia britanike raportohet se po kërkon dëshmi nga ish-agjentë që kanë shoqëruar Princin Andrew në udhëtime drejt ishullit privat të Jeffrey Epstein në Karaibe, si dhe po heton lëvizje të mundshme ajrore drejt Londrës. Gjithashtu, janë raportuar kontrolle në Royal Lodge në Windsor, rezidenca ku Andrew ka jetuar deri vonë.
Në planin politik, mediat britanike raportojnë se qeveria e udhëhequr nga Keir Starmer po shqyrton mundësinë e një projektligji për ta hequr Princin Andrew nga linja e trashëgimisë mbretërore. Ndërkohë, ish-bashkëshortja e tij, Sarah Ferguson, thuhet se ka qëndruar fillimisht në një klinikë luksoze në Zvicër dhe më pas është zhvendosur në Dubai, ndërsa mbeten të paqarta burimet e financimit të qëndrimit të saj./mxh
