Last Updated on 22/02/2026 by EL
Kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, këtë të diel ka zhvilluar një takim me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Itali. Lapaj ka bërë me dije se të dielën tjetër, në 1 mars, forca e drejtuar nga ai, do të mbajë protestën e radhës kombëtare.
Më tej, kreu i Shqipëria Bëhet nuk i ka kursyer thumbimet për protestën e PD-së, teksa tha se ndryshe nga demokratët, ata nuk i paguajnë njerëzve biletën për të mbërritur në tubimin e tyre.
“Mos votoni për inerci, mos votoni për tifozllëk, votoni djem e vajza të reja, votoni lëvizjen tonë, janë djem dhe vajza të ndershëm. Ne në datën 1 mars kemi protestën e 5 pa ndalim. Ne nuk i marrim njerëzit me bileta e tua paguajmë. E para nuk e besojmë atë metodikë dhe e dyta nuk kemi para. Çfarë shikoni aty vijnë vetë sepse e ndjejnë me zemër. Betejës mes shkëmbit dhe dallgës e fiton dallga sepse është e vendosur.”, deklaroi ai.
Ndërsa më tej, ai shtoi se në vetëm pak muaj, Shqipëria Bëhet është forca e tretë politike në vend.
“Ju e ndjeni mirë se kush e ka seriozisht këtë betejë. Ne vërtet jemi të vegjël unë e pranoj, por jemi forca e 3 politike në vend në vetëm tetë muaj dhe kemi gjithë energjinë, gjithë forcën gjithë përkushtimin për t’u kthyer në forcën e parë politike si Albini e bëri në Kosovë apo Tsipras në Greqi”, tha Lapaj./et
