Një stuhi e fuqishme dëbore ka përfshirë verilindjen e Shteteve të Bashkuara, duke sjellë reshje të dendura dhe kushte të rrezikshme ngricash. Pamjet nga Times Square në New York City tregojnë zonën ikonike të mbuluar plotësisht nga bora në orët e para të mëngjesit të së hënës, më 23 shkurt.
Guvernatorët e New Jersey, Connecticut dhe Massachusetts shpallën gjendjen e jashtëzakonshme që të dielën, ndërsa autoritetet paralajmëruan se stuhia mund të sillte deri në 60 centimetra borë, të shoqëruara me erëra të forta dhe temperatura të ulëta ekstreme. Në disa zona u vendos ndalimi i qarkullimit për mjetet jo thelbësore, me qëllim shmangien e aksidenteve dhe lehtësimin e ndërhyrjes së shërbimeve emergjente.
Edhe kryetari i bashkisë së New York City, Zohran Mamdani, urdhëroi mbylljen e rrugëve për qarkullimin e mjeteve jo emergjente, përfshirë biçikletat dhe skuterët, nga ora 21:00 e së dielës deri në mesditën e së hënës. Po ashtu, u njoftua mbyllja e të gjitha shkollave publike si masë parandaluese për sigurinë e nxënësve dhe stafit.
Stuhia shkaktoi kaos edhe në transportin ajror. Deri në orët e para të pasdites së të dielës, mbi 15 mijë fluturime u vonuan dhe më shumë se 3 mijë e 500 u anuluan. Numri më i madh i anulimeve u regjistrua në aeroportet JFK, La Guardia dhe Newark, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në përmirësimin e kushteve atmosferike, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën për pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e normalitetit./mxh
