Last Updated on 24/02/2026 by Monika
Në ditën e pestë të bllokimit të aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, banorët e fshatit Spathar kanë ndërmarrë një nismë vetjake për të përballuar situatën e krijuar pas shembjes së rrugës. Të përballur me mungesën e sinjalistikës dhe rrezikun e shtuar në qarkullim, ata kanë vendosur tabela orientuese dhe paralajmëruese për drejtuesit e mjeteve që detyrohen të përdorin rrugë alternative.
Sinjalistikat me emrat e destinacioneve janë vendosur përgjatë segmentit rural Spathar – Rruga Antike Egnatia – Dardhë – Hotolisht, një itinerar që po shërben si devijim i përkohshëm për qarkullimin e automjeteve pas bllokimit të aksit kryesor. Kjo rrugë, ndonëse funksionale, paraqet vështirësi të konsiderueshme për shkak të terrenit të thyer, gjerësisë së kufizuar dhe mungesës së standardeve të plota të sigurisë rrugore.
Banorët shprehen se ndërhyrja e tyre ishte e domosdoshme për të shmangur humbjen e orientimit nga drejtuesit e mjeteve, veçanërisht ata që nuk janë të zonës. Sipas tyre, fluksi i automjeteve është rritur ndjeshëm ditët e fundit, duke e kthyer segmentin rural në një arterie të përkohshme kombëtare.
Ndërkohë, shembja në aksin Librazhd–Prrenjas ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për jetën e përditshme të banorëve dhe bizneseve lokale. Lëvizja drejt qyteteve, transporti i mallrave dhe shërbimet emergjente janë vështirësuar, ndërsa përdorimi i rrugës alternative konsiderohet nga shumë drejtues mjetesh si i rrezikshëm, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për stabilizimin e segmentit të dëmtuar dhe rikthimin sa më parë të qarkullimit normal në aksin kombëtar, i cili përbën një lidhje të rëndësishme mes zonave të qarkut të Elbasanit dhe më gjerë.
Deri në zgjidhjen përfundimtare të situatës, rruga alternative përmes Spatharit mbetet e vetmja mundësi kalimi, ndërsa komuniteti lokal vazhdon të kontribuojë me mjete modeste për të garantuar sigurinë minimale të qarkullimit./A.D


