Mijëra fermerë në Serbia bllokuan rrugët kryesore në mbarë vendin, duke kërkuar subvencione më të forta dhe mbrojtje nga importet e lira, ndërsa të ardhurat në zonat rurale po përballen me rritjen e kostove dhe çmimet e ulëta të produkteve bujqësore.
Protestat, që nisën rreth dy javë më parë, janë përhapur në të gjithë vendin. Sipas organizatorëve, bllokadat – të planifikuara të zgjasin disa orë – prekën 42 akse kryesore rrugore, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit.
Fermerët kërkojnë rritje dhe parashikueshmëri më të madhe të subvencioneve, kufizime të përkohshme ose tarifa për disa produkte bujqësore të importuara, përfshirë qumështin dhe mishin e derrit me çmime më të ulëta nga jashtë, si dhe përshpejtim të pagesave në kuadër të skemave mbështetëse.
Në qytetin Bogatić, në perëndim të Beogradit, traktorë të zbukuruar me flamuj kombëtarë bllokuan kryqëzimin kryesor. Fermerët deklaruan se bllokada do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
“Energjia mes njerëzve nuk po bie, sepse jemi të gatshëm të qëndrojmë dhe të shkojmë deri në fund”, tha Milan Zorbiç, anëtar i një shoqate fermerësh.
Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë, Dragan Glamocic, deklaroi se fermerët nuk janë paraqitur në bisedime për të diskutuar masat për përmirësimin e tregut të qumështit. Ai shtoi se disa shitës me pakicë janë zotuar të rrisin blerjet e produkteve të qumështit nga fermerët vendas.
Protestat e fermerëve përkojnë me protestat e vazhdueshme mbarëkombëtare kundër qeverisë, të cilat nisën në vitin 2024, pasi 16 persona humbën jetën nga shembja e një strehe në një stacion treni. Këto protesta kanë tronditur qeverisjen e presidentit populist Aleksandar Vučić.
Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimi Evropian dhe është zotuar të harmonizojë politikat bujqësore me ato të bllokut, përfshirë hapjen e tregut të saj për produktet e BE-së./MXH
