Kryeministri i Mbretëria e Bashkuar, Keir Starmer, shënoi të martën (24 shkurt) katër vjet nga pushtimi rus i Ukrainës, duke rikonfirmuar se Londra do të qëndrojë në krah të Kievit “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Në një mesazh drejtuar kabinetit dhe vendit, Starmer vlerësoi “qëndresën e jashtëzakonshme” të ukrainasve, si në vijën e frontit ashtu edhe në jetën e përditshme.
“Kur ky konflikt shpërtheu katër vjet më parë, supozohej se do të duheshin vetëm disa javë që Putini të merrte të gjithë Ukrainën. Kjo ishte ajo që besohej gjerësisht. Katër vjet më vonë, ukrainasit po i rezistojnë agresionit”, tha ai.
Starmer theksoi se, përveç sfidave të rënda në front, qytetarët ukrainas vazhdojnë jetën e përditshme si shenjë qëndrese dhe sfide ndaj agresionit rus. Ai shtoi se është e domosdoshme të kundërshtohet “e pavërteta” se Rusia po fiton luftën.
“Nëse marrim vetëm vitin e fundit, Rusia ka marrë 0.8% të territorit në Ukrainë, me një kosto të tmerrshme për veten – rreth gjysmë milioni humbje”, deklaroi ai.
Po të martën, Britania njoftoi një paketë të re mbështetjeje ushtarake, humanitare dhe për rindërtimin e Ukrainës.
Më vonë gjatë ditës, Starmer pritet të drejtojë një telefonatë me grupin e aleatëve të njohur si “Koalicioni i të Gatshmëve”, ndërsa ministrja e Jashtme, Yvette Cooper, do të marrë pjesë në përkujtimet që zhvillohen në Kiev./MXH
