Last Updated on 25/02/2026 by Anisa
Një tërmet me magnitudë 4.3 të shkallës Rihter me epiqendër në zonën e Belshit tronditi mbrëmjen e djeshme banorët e zonës dhe disa qytete të tjera të vendit rreth orës 20:00.
I ftuar në emisionin Dita Jonë, sizmiologu Rrapo Ormeni u shpreh se nuk ka vend për panik, pavarësisht se lëkundjet janë ndjerë fuqishëm në disa qytete.
Sipas Ormenit, epiqendra e tërmetit ishte 6 kilometra në perëndim të Belshit dhe 11 kilometra në lindje të Lushnjes. Gjithashtu, lëkundjet u regjistruan 23 kilometra në jugperëndim të Elbasanit dhe 36 kilometra në jug të Tiranës.
“Është ndjerë fuqishëm në zonën epicentrale në Belsh e Lushnjë me intensitet 5 ballë. Është ndjerë dhe në Tiranë. Ka pasur dy pasgoditje. Në Elbasan, Tiranë e Berat është ndjerë me intensitet 4 ballë,” u shpreh sizmiologu.
Ormeni theksoi se segmenti Lushnjë–Elbasan–Dibër është ndër zonat më aktive sizmiologjike në vend, për shkak të një thyerjeje të madhe tektonike që shtrihet nga jugu drejt veriut.
“Zona Vlorë–Fier–Lushnjë–Dibër dhe më tej deri në Tetovë e Gjilan është një segment që gjeneron herë pas here tërmete. Në këtë segment regjistrohen shpesh lëkundje sizmike,” tha ai.
Sipas specialistit, tërmetet që kalojnë magnitudën 4.5 zakonisht mund të shkaktojnë dëmtime materiale, ndërsa ato me magnitudë rreth 5 mund të ndikojnë edhe në çarje të tokës si pasojë e lëvizjeve tektonike.
Deri më tani nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa situata paraqitet e qetë./A.D
