Studiuesit britanikë kanë paralajmëruar për rreziqet që mund të sjellin për shëndetin testet shëndetësore të ofruara në internet në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tyre, një pjesë e madhe e këtyre shërbimeve nuk mbështeten në prova shkencore dhe mund të japin rezultate të pasakta, duke rrezikuar sigurinë e pacientëve.
Ky është përfundimi i një studimi të kryer në Mbretërinë e Bashkuar, ku u analizuan 50 teste shëndetësore të reklamuara online. Këto shërbime premtonin zbulimin e një sërë problemesh shëndetësore, duke filluar nga analizat e mikrobiomës së zorrëve, testet gjenetike dhe matja e niveleve të kortizolit, deri te kontrollet e gjirit, prostatës, mushkërive dhe ekzaminimet me ultratinguj.
Çmimet e tyre varionin nga 8 euro për një test të thjeshtë që kryhej në shtëpi, deri në 16 mijë euro për paketa të plota kontrollesh shëndetësore, që përfshinin analiza, ekzaminime imazherike dhe vizita fizike. Disa prej këtyre shërbimeve ofroheshin edhe në formën e paketave luksoze në hotele apo qendra spa.
Nga analiza rezultoi se shumë prej testeve nuk kishin mbështetje të mjaftueshme shkencore. Gjashtëmbëdhjetë prej tyre premtonin se mund t’i ndihmonin njerëzit të jetonin më gjatë, ndërsa 36 pretendonin se mundësonin diagnostikimin e hershëm dhe rezultate më të mira shëndetësore.
Vetëm 15 nga 50 shërbimet e analizuara informonin konsumatorët për rreziqet e mundshme, përfshirë rezultatet e pasakta dhe pasojat e ekzaminimeve intime.
Ekspertët paralajmërojnë se testet me cilësi të dobët mund të prodhojnë rezultate pozitive ose negative të rreme, duke shkaktuar shqetësime të panevojshme ose duke bërë që probleme shëndetësore të mos zbulohen.
Për këtë arsye, studiuesit kërkojnë kontrolle më të forta rregullatore, duke theksuar se përhapja e testeve të pakontrolluara në internet nuk përbën vetëm një boshllëk ligjor, por edhe një çështje të sigurisë së pacientëve./ad
