Last Updated on 25/02/2026 by Anisa
Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, komentoi mbledhjen e Këshillit të Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK ndaj zv/kryeministres Balluku, duke e krahasuar situatën me një precedent të Gjykatës Kushtetuese, e cila më parë nuk kishte marrë vendim për ankimimin e Kryeministrit për ndërhyrje në kompetencat e ekzekutivit nga sistemi gjyqësor.
Sipas Zogajt, është hera e parë që Këshilli i Mandateve nuk del me një rekomandim, çka sipas tij tregon për një ngërç institucional.
“Këshilli i Mandateve imitoi Gjykatën Kushtetuese, ku pati një ditë pa vendim; mesa duket ka një ngërç gjithandej. Nuk ka ndodhur asnjëherë që Këshilli i Mandateve të mos dalë me një rekomandim dhe më pas është seanca plenare ajo që vendos vulën, duke e miratuar ose jo. Prokurorët kanë thënë se ka tentativa për hetimin e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve,” u shpreh ai.
Analisti theksoi se, përtej deklaratave politike, procesi i hetimit duhet të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe mbi bazën e provave.
“Ajo që unë pres është që procesi të jetë i rregullt, provat të paraqiten në vendin e duhur; është gjykata që bën drejtësi, jo prokuroria. I gjithë synimi i kastës publike është për të frenuar hetimin. SPAK deri tani ka treguar seriozitet dhe nuk mund të them që është i ndërsyer politikisht,” deklaroi Zogaj.
Ai nënvizoi se në fund vendimmarrja i takon gjykatës dhe se procesi duhet të garantojë standardet e një hetimi të paanshëm dhe profesional./A.D
