Last Updated on 25/02/2026 by Anisa
Tre javë pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për të mos nisur verifikimin ndaj gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Irena Gjoka, për dyshimet se nuk ka deklaruar një dënim penal në Greqi, dosja e saj është marrë në dorë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), Artur Metani.
Më 20 shkurt, ILD vendosi nisjen e hetimit disiplinor vetë, duke e konsideruar të gabuar mosmarrjen e një vendimi përfundimtar nga KLGJ. Vendimi është marrë në bazë të informacionit të publikuar dhe dy ankimeve të dorëzuara nga eksponentë të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Adriana Kalaja.
Përmes një letre, Metani ka njoftuar Bardhin për nisjen e hetimit dhe i ka dhënë tre javë kohë për dorëzimin e pretendimeve. Burime bëjnë me dije se nisja e hetimit disiplinor mbështetet në dyshimin e arsyeshëm se mund të kemi të bëjmë me shkelje në sjelljen e magjistrates.
Sipas ILD, verifikimi i Prokurorisë së Përgjithshme ka treguar se në vitin 2005 gjyqtarja Gjoka ka pasur një dënim penal. Gjyqtarja ka pasur detyrim ligjor të deklarojë këtë të dhënë, si pjesë e të dhënave mbi pastërtinë e figurës, përfshirë çdo informacion mbi dënime penale. Mosdeklarimi i këtyre të dhënave, sidomos kur lidhen me veprimtari të kundërligjshme jashtë ushtrimit të detyrës, konsiderohet sjellje që diskrediton figurën e magjistratit dhe dëmton besimin e publikut në sistemin gjyqësor.
ILD ka kërkuar dokumentacion të plotë nga KLGJ, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar dhe SPAK, i cili ka nisur hetim. Vetë gjyqtarja Gjoka, në një letër drejtuar KLGJ-së, ka mohuar të ketë pasur dijeni për dënimin.
Sa i përket ankimit të bërë nga anëtari i KLGJ-së, Klodian Kurushi, Metani e ka konsideruar të papranueshëm dhe ka vendosur arkivim.
Inspektori Metani thekson se procedimi disiplinor nga ana e tij nuk zëvendëson verifikimin dhe kushtet e pa-pajtueshmërisë që kryen KLGJ në kuadër të dekriminalizimit. KLGJ mbetet institucioni përgjegjës për verifikim të specializuar, duke përfshirë edhe institucionet jashtë vendit.
Metani ngre gjithashtu shqetësimin për praktikën administrative të KLGJ, e cila sipas tij nuk respekton ndarjen e kompetencave brenda organeve të drejtësisë dhe mund të krijojë konflikt interesi kur ILD kërkon masë disiplinore ndaj magjistrates, pasi KLGJ mund të jetë njëkohësisht dhe ankues, dhe organ zhvillues dhe vendimmarrës.
