Last Updated on 25/02/2026 by Anisa
Në seancën e sotme gjyqësore lidhur me vrasjen e bujshme të biznesmenit Çajup Selimi, autori i ngjarjes, Artan Tafani, ka zbuluar detaje tronditëse mbi organizimin dhe motivin e krimit. Sipas dëshmisë së tij, për eliminimin e Selimit është paguar shuma prej 25 mijë eurosh, shumë që pretendohet se është dhënë nga Laert Haxhiu.
Gjatë seancës ka dëshmuar edhe një i afërm i viktimës, Leonard Selimi, i cili ka rrëfyer momentet e natës së ngjarjes dhe çfarë ka parë menjëherë pas atentatit.
Leonard Selimi deklaroi se në momentin kur ndodhi vrasja, më 1 qershor, rreth orës 21:00, ai ndodhej në banesën e tij, në katin sipër viktimës. Ai theksoi se nuk kishte dëgjuar asnjë krismë arme dhe as nuk kishte parë autorin e ngjarjes.
“Sapo hapa derën, pashë se një plumb kishte depërtuar brenda në shtëpi dhe kishte përfunduar pranë kokës së krevatit. Nuk dëgjova asnjë të shtënë. Gjeta plumbin dhe të nesërmen ia dorëzova policisë. Kur dola te dera, pashë gjak dhe u përpoqa t’i jap ndihmën e parë,” – u shpreh ai.
Sipas tij, viktima kishte gjakderdhje nga goja dhe nuk reagonte. Në vendngjarje dolën menjëherë bashkëshortja e tij dhe persona të tjerë nga pallati.
Leonard Selimi shtoi se për ngjarjen e mori vesh përmes mediave dhe se nuk kishte pasur dijeni për ndonjë konflikt të hapur të viktimës para vrasjes.
Pas ngjarjes, sipas dëshmisë, dolën në pah disa sherre të vjetra që viktima kishte pasur me disa të rinj nga fshati Veliqot i Tepelenës. Leonard Selimi deklaroi se bëhej fjalë për tre persona, me të cilët kishte pasur një ose dy përplasje, por sipas tij konflikti ishte mbyllur dhe ata kishin marrë pjesë edhe në ceremoninë mortore.
“Para se të vritej, nuk dinim asgjë për probleme të tij. Pas vrasjes morëm vesh që kishte pasur sherre, por për ndonjë konflikt tjetër të hapur nuk di gjë. Nuk i jap dot shpjegim vrasjes,” përfundoi ai.
Çështja vijon të shqyrtohet në gjykatë, ndërsa pritet që procesi të zbardhë plotësisht rrethanat, motivet dhe personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë që tronditi opinionin publik./A.D
