Kylie Jenner është përfshirë në një padi ligjore të ngritur nga ish-punonjësja e saj e shtëpisë, Angelica Vasquez, e cila e akuzon për diskriminim në vendin e punës.
Sipas dokumenteve gjyqësore të raportuara nga Page Six, Vasquez ka nisur punën në shtator 2024 në rezidencën e Jenner në Beverly Hills, përpara se të transferohej më vonë në shtëpinë e saj në Hidden Hills.
Në padinë e saj, ajo pretendon se është përballur me një ambient pune armiqësor, është përjashtuar nga ekipi i mirëmbajtjes dhe është ngarkuar me detyra më të vështira se kolegët e tjerë. Gjithashtu, ajo thotë se është poshtëruar para stafit dhe ka dëgjuar komente fyese lidhur me origjinën dhe theksin e saj.
Sipas Vasquez, disa anëtarë të stafit kanë mbajtur qëndrime diskriminuese dhe e kanë trajtuar në mënyrë denigruese gjatë kohës së punës.
Ajo shton se për shkak të kësaj situate ka zhvilluar simptoma të ngjashme me stresin post-traumatik dhe ankth, duke u detyruar të largohet nga puna në gusht 2025. Në padinë e saj, kërkon dëmshpërblim për paga të papaguara, dëme emocionale dhe masa ndëshkuese.
Edhe pse akuzat nuk drejtohen drejtpërdrejt kundër saj, Kylie Jenner është përfshirë në çështje pasi pretendohet se nuk ka reaguar ndaj ankesave të punonjëses./mxh
