“Hungaria nuk do të pranojë “shantazh”, ky është mesazhi i prerë që vjen nga Budapesti pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes. Kryeministri Viktor Orbán deklaroi se prej 27 janarit, asnjë pikë nafte nuk ka mbërritur në vend përmes tubacionit Druzhba dhe szipas tij, kjo ndalesë nuk ka arsye teknike, por është një presion i pastër politik i koordinuar nga qeveria e Kievit.
“Të dhënat janë të qarta: ky ndalimi i paprecedentë ka motive politike. Qeveria ukrainase po përdor bllokadën e naftës për të ushtruar presion mbi Hungarinë dhe Sllovakinë. Kam urdhëruar përforcimin e menjëhershëm të mbrojtjes për infrastrukturën kritike energjetike,” theksoi kryeministri hungarez, Victor Orban.
Masat e sigurisë janë të rrepta. Ushtria hungareze dhe pajisje të rënda luftarake do të vendosen pranë centraleve elektrike dhe nënstacioneve kryesore për të zmbrapsur çdo sulm të mundshëm.
Njëkohësisht, policia ka shtuar patrullimet, ndërsa në qarkun Szabolcs-Szatmár-Bereg, në kufi me Ukrainën, janë ndaluar rreptësisht fluturimet e dronëve.
Inteligjenca kombëtare hungareze ka raportuar se Ukraina mund të jetë duke përgatitur veprime të mëtejshme për të destabilizuar sistemin energjetik të vendit. Kjo përplasje ka bllokuar edhe diplomacinë në Bruksel, pasi Budapesti ka vendosur veton ndaj ndihmës prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën dhe paketës së re të sanksioneve ndaj Rusisë, derisa nafta të fillojë të rrjedhë sërish.
Ndërkohë, Kievi i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se ndërprerja erdhi si pasojë e sulmeve ruse me dronë mbi infrastrukturën e tyre, dhe jo si një akt bllokade ndaj fqinjëve./mxh
Artikulli i MëparshëmQeveri e keqe
Artikulli Tjetër Zelensky: Rusia ka shkatërruar tubacionin Druzhba, jo Ukraina
