Reperi 50 Cent nuk e ka lënë pa komentuar ditëlindjen e 57-të të rivalit të tij të vjetër, Diddy. Ai i ka kushtuar një urim ironik në rrjetet sociale, duke publikuar një fotografi të krijuar me Inteligjencë Artificiale, ku producenti muzikor shfaqet me flokë të thinjura.
Ndërsa Diddy po vuan dënimin në burgun federal FCI Allenwood, në Pensilvani, 50 Cent publikoi fotografinë në Instagram të mërkurën, më 4 nëntor, duke e shoqëruar me një mesazh thumbues:
“Gëzuar 57-vjetorin, Diddy! Të uroj edhe shumë të tjera, LOL”.
Reperi e shoqëroi postimin edhe me këngën “Happy Birthday” të Stevie Wonder.
Ky reagim vjen vetëm pak ditë pasi u bë e ditur se data e lirimit të Diddy-t nga burgu ishte shtyrë sërish, pas transferimit të tij në një institucion tjetër federal. Sipas përditësimit të fundit, ai pritet të lirohet më 6 shkurt 2028.
Përplasja mes 50 Cent dhe Sean “Diddy” Combs ka vite që vazhdon, por u përshkallëzua veçanërisht pas publikimit të këngës thumbuese “The Bomb”, në vitin 2006. Në atë kohë, 50 Cent pretendoi se producenti muzikor kishte pasur gisht në vrasjen e reperit The Notorious B.I.G., në vitin 1997.
Në dhjetor të vitit të kaluar, 50 Cent publikoi gjithashtu në Netflix dokumentarin me katër episode “Sean Combs: The Reckoning”, ku trajtohen edhe zhvillimet më të fundit të çështjes së Diddy-t. Ky i fundit u dënua me katër vite e dy muaj burg për vepra penale që lidhen me trafikimin e personave.
Ndërkohë, 50 Cent ka vijuar ta ironizojë vazhdimisht rivalin e tij në rrjetet sociale, duke mos humbur rastin për të bërë komente thumbuese ndaj tij./mxh
