Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i tha kancelarit gjerman, Friedrich Merz, se Kina dhe Gjermania duhet të forcojnë komunikimin strategjik dhe besimin e ndërsjellë, në një kohë kur bota po bëhet gjithnjë e më e trazuar dhe komplekse.
Gjatë takimit në Pekin, Xi theksoi se i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve mes dy vendeve, duke e cilësuar partneritetin si kyç për stabilitetin ekonomik dhe politik.
Kjo është vizita e parë e Merz në Kinë si kancelar, duke u bërë një nga liderët e fundit evropianë që kërkojnë të rikalibrojnë marrëdhëniet me Pekinin. Më herët gjatë këtij viti, hapa të ngjashëm kanë ndërmarrë edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, si dhe kryeministri kanadez, Mark Carney.
Pekini ndërkohë promovon përfitimet e bashkëpunimit me tregun e tij të madh konsumator dhe bazën e avancuar të prodhimit industrial.
Angazhimi mes ekonomisë më të madhe të Evropës dhe Kinës pritet të ndikojë ndjeshëm në drejtimin e marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Pekinit gjatë këtij viti./mxh
