Last Updated on 26/02/2026 by Kesjana
Policia e Korçës lajmëron sot në 26 shkurt se ka finalizuar operacionin e koduar “Blackmail”, duke vënë në pranga një shtetas 47-vjeçar. I prangosuri dyshohet se i ka marrë një greku 4000 euro, pasi e shantazhonte se do i publikonte biseda dhe video intime. I arrestuari akuzohet për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Gjithashtu, i arrestuari K.J dyshohet se e kishte kthyer shantazhin në “biznes”, pasi kishte arritur të përfitonte nga disa shtetas grekë, në të njëjtën formë, 30 deri në 40 mijë euro në total.
Njoftimi i policisë së Korçës:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Blackmail”. Operacioni, rezultat i 4 muajve hetime me metoda proaktive.
I mori 4000 euro një shtetasi grek, duke e shantazhuar për rreth 3 vjet, se do t’i publikonte biseda dhe foto intime, vihet në pranga 47-vjeçari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Korçë, si rezultat i hetimeve të kryera për një periudhë 4-mujore, me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Blackmail”.
Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi K. J., 47 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. J., për një periudhë rreth 3-vjeçare, nëpërmjet shantazhit për publikimin e bisedave dhe fotove intime, ka përfituar rreth 4000 euro, nga një shtetas grek. Gjithashtu, shtetasi K. J. dyshohet se me të njejtin mekanizëm, ka përfituar edhe nga shtetas të tjerë grekë, shuma të konsiderueshme parash, që variojnë nga 30 000 – 40 000 euro.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë të përshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./kb
